NATO: Rusia të tërheqë menjëherë trupat nga Ukraina

Gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, që u zhvillua të mërkurën në selinë e NATO-s në Bruksel të Belgjikës, u publikua deklarata e ministrave për situatën në Ukrainë.

Duke u shprehur shqetësimi i thellë për grumbullimin ushtarak të Rusisë, në deklaratë u tha: “Ne i bëjmë thirrje Rusisë të zgjedhë rrugën më të fuqishme diplomatike, të kthejë në kahun e kundërt vendimin për grumbullimet ushtarake dhe të tërheqë forcat e saj nga Ukraina në përputhje me detyrimet dhe angazhimet e saj ndërkombëtare”.

Krahas shkëshillimit kundër Rusisë do të vazhdojë edhe qasja e hapur për dialog, thekson deklarata dhe kujton se veprimet e Rusisë paraqesin kërcënim për sigurinë euroatlantike dhe për këtë arsye NATO ka forcuar praninë e saj ushtarake në lindje.

“Ne jemi të gatshëm të forcojmë më tej qëndrimin tonë në drejtim të mbrojtjes dhe shkëshillimit”,- thuhet shprehimisht në vijim të deklaratës.

Deklarata konfirmon mbështetjen për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, si dhe përsërit se çdo vend ka të drejtë të zgjedhë rrugën e vet dhe se sjellja agresive e Rusisë do të ketë pasoja të rënda.

NATO dhe aleatët vazhdojnë të ndjekin rrugën e diplomacisë dhe dialogut me Rusinë për çështjet e sigurisë euro-atlantike, përfshirë edhe nivelin më të lartë,- thuhet më tej në deklaratë.

Ministrat e NATO-s shprehën gatishmërinë e tyre për Dialogun e Ripërtërirë të Sigurisë Evropiane, të iniciuar nga Polonia si kryesuese e radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), dhe se ata janë në pritje të një përgjigjeje për ofertat e mëparshme për sigurinë që i janë bërë Rusisë.

Marrëveshja erdhi në një takim dyditor të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel për të diskutuar çështjet kryesore të sigurisë, duke përfshirë mundësinë e një pushtimi rus të Ukrainës. /trt