Ndërron jetë burri më i vjetër në botë

Burri më i vjetër në botë, Juan Vicente Perez Mora i cili i mbijetoi dy luftërave botërore dhe pandemive të shumta, ka ndërruar jetë në moshën 114-vjeçare. Ai do të mbushte 115 vjeç muajin e ardhshëm.

Vdekja e tij u konfimua nga guvernatori i Táchira, Venezuelë ku i moshuari jetonte, sipas Librit të Rekordeve Guinness.

I dashuri ynë Juan Vicente Perez Mora, me hidhërim dhe dhimbje të thellë sot të themi lamtumirë, shembulli i një burri model nga Táchira, modest, punëtor, i paqtë, entuziast për familjen dhe traditën. I dashuri im Don Vicente, do ta mbajmë mend gjithnjë për optimizmin në jetë, besimin, shpresën dhe dashurinë e madhe ndaj Táchira”, shkroi Freddy Bernal në një postim në X.

Edhe presidenti i vendit shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e 114-vjeçarit.

Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur. Perez lindi më 27 maj 1909. Ai u njoh si burri më i vjetër në botë në shkurt 2022, në moshën 112 vite e 253 ditë. Perez ia atribuonte jetëgjatësinë punës, të fjeturit herët dhe një gote me “aguardiente”, një pije alkoolike vendase.