Ndeshja Liria – Ballkani nuk shtyhet, zhvillohet të dielën

Ndeshja kampionale mes Lirisë dhe Ballkanit nuk do të shtyhet, por do të zhvillohet në terminin e rregullt, të dielën. Ky është vendimi përfundimtar i Komisionit të Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili është bërë publik të hënën.

Komisioni i Garave ka shfuqizuar vendimin që e kishte marrë javën e shkuar për shtyrjen e kësaj ndeshjeje me kërkesën e skuadrës së Lirisë. Në vendimin e publikuar të hënën, thuhet se ndeshja do të luhet të dielën në Prizren me fillim në orën 13:00.

Po ashtu, në arsyetimin e Komisionit të Garave, thuhet se lojtarët e Lirisë që janë paraqitur në Kupën e Afrikës dhe tashmë janë eliminuar, duhet të paraqiten me kohë te skuadra nga Prizreni. Këtë vikend edhe rifillon edicioni i Superligës së Kosovës në futboll, me ndeshjet që do të luhen në kuadër të xhiros së 19-të.

Ballkani është lider në tabelë me 40 pikë të mbledhura, 31 më shumë se Liria që zë vendin e fundit.