Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ndikimi i krizës së karburantit në jetën në Azi

Ndikimi i krizës së karburantit në jetën në Azi

Kriza e karburantit, e shkaktuar nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, po lë pasoja të rënda në mbarë botën, veçanërisht në Azi. Rritja e çmimeve dhe mungesa e energjisë po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të miliona njerëzve. Nga transporti dhe bujqësia, deri te bizneset dhe familjet, shumë vende po përballen me kufizime, pasiguri dhe vështirësi në rritje. Ndërkohë, pa një zgjidhje të shpejtë të konfliktit, situata pritet të përkeqësohet edhe më tej.

Mbyllja faktike e Ngushticës së Hormuzit, pas nisjes së luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit në fund të shkurtit, ka shkaktuar tronditje të mëdha në mbarë globin, duke krijuar pasiguri dhe tension në tregjet ndërkombëtare. Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, ndërsa tregjet e aksioneve janë lëkundur, teksa bota pret me ankth të kuptojë se kur Irani do ta lejojë rihapjen e kësaj rruge jetike detare, përmes së cilës kalon rreth 20% e gjithë naftës në botë.

Aktualisht, vetëm një numër shumë i kufizuar anijesh arrijnë të kalojnë çdo ditë nëpër këtë ngushticë, ndërkohë që sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në rajon kanë kontribuar edhe më tej në rritjen e çmimeve, duke e përkeqësuar situatën globale. Ndoshta askund tjetër nuk ndihet kjo krizë më fort sesa në Azi, pasi afro 90% e naftës dhe gazit që kalon përmes ngushticës është e destinuar për vendet aziatike.

Dhe tashmë, pasojat kanë filluar të ndihen qartë në jetën e përditshme. Qeveritë kanë marrë masa të ndryshme për të kursyer energjinë. Kanë urdhëruar punonjësit të punojnë nga shtëpia, kanë shkurtuar javën e punës, kanë shpallur ditë pushimi kombëtare dhe kanë mbyllur universitetet më herët se zakonisht. Madje edhe Kina, e cila besohet se ka rezerva të mjaftueshme për rreth tre muaj, ka filluar të bëjë rregullime, duke kufizuar rritjen e çmimeve të karburantit, ndërkohë që qytetarët përballen me një rritje prej rreth 20%.

Edhe pse lufta zhvillohet mijëra kilometra larg, njerëzit në të gjithë Azinë po ndiejnë në mënyrë shumë konkrete ndikimin e saj në jetën e përditshme.

Filipinet

Të martën, Filipinet shpallën gjendje emergjente për shkak të konfliktit dhe “rrezikut të afërt që paraqitet për furnizimin dhe stabilitetin energjetik të vendit”. Ndikimi i një lufte që ndodh më shumë se 7.000 kilometra larg po ndihet fort, veçanërisht tek drejtuesit e minibusëve të njohur si “jeepney”, që janë mjete transporti publik në Filipine, të cilët janë ndër më të goditurit.

Carlos Bragal Jr ka parë të ardhurat e tij ditore të bien ndjeshëm: nga 1.000–1.200 pesos (rreth 16.60–19.92 dollarë) për një turn 12-orësh, në vetëm 200–500 pesos. Drejtues si ai tashmë përballeshin me vështirësi të shumta, si taksat mbi karburantin dhe pezullimi i rritjes së çmimeve të biletave, por rritja e fundit e çmimeve e ka përkeqësuar situatën deri në atë pikë sa disa prej kolegëve të tij nuk arrijnë të fitojnë asgjë.

“Unë i kam dërguar vajzat në shkollë falë kësaj pune – njëra sapo është diplomuar dhe tjetra është në prag diplomimi,” thotë Carlos, duke shtuar me shqetësim: “Kemi pasur një jetë të mirë, por tani nuk e dimë çfarë do të ndodhë me ne në javët e ardhshme. Nëse kjo vazhdon, do të na shkatërrojë plotësisht, mua dhe familjen time”.

Nuk janë vetëm drejtuesit e jeepneyve që kanë frikë për të ardhmen. Edhe peshkatarët dhe fermerët po përballen me vështirësi për shkak të kostove të larta të karburantit. Disa fermerë perimesh në Bulacan tashmë janë detyruar të ndalojnë mbjelljet, pasi nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet.
Qeveria e ka pranuar problemin dhe ka ndërhyrë duke ofruar ndihmë financiare, por shumë njerëz, përfshirë Carlosin, nuk janë të kënaqur.

“Subvencioni për karburantin nga qeveria nuk mjafton – mbulon vetëm dy ditë punë. Po pas dy ditësh çfarë do të bëjmë? Situata jonë tani është më e keqe se gjatë pandemisë”, shprehet ai.

Tajlanda

Për gati dy dekadave si prezantuese lajmesh, Sirima Songklin rrallëherë është parë pa kostumin e saj formal. Por në fillim të këtij muaji, ajo dhe kolegët e saj në transmetuesin publik Thai PBS vendosën të hiqnin xhaketat gjatë transmetimit të drejtpërdrejt, si një mënyrë simbolike për të promovuar kursimin e energjisë në kushtet e krizës së karburantit.

“Heqja e xhaketës nuk është e vetmja zgjidhje për kursimin e energjisë, por ajo që bëmë ishte një mënyrë për të treguar se nuk po e injorojmë situatën. Ishte një shembull i vogël për publikun”, shpjegon Sirima.

“Është e pabesueshme sesi një gjë kaq e vogël mund të pasqyrojë kaq qartë ndikimin e një konflikti që po zhvillohet kaq larg, në Lindjen e Mesme”, shton ajo.

Në fakt, ky ishte vetëm një nga një sërë udhëzimesh të dhëna nga Qeveria që prej mbylljes së ngushticës. Qytetarëve u është kërkuar të mbajnë kondicionerët në temperaturë 26–27°C, ndërsa institucionet shtetërore janë udhëzuar të punojnë nga shtëpia. Megjithatë, autoritetet kanë thënë vazhdimisht se vendi do të ketë furnizim të mjaftueshëm me energji.

Sri Lanka

Dimuth, banor i kryeqytetit të Sri Lankës, Colombo, tregon për sfidat e shumta.

“Herën e kaluar, vendi nuk kishte para për të blerë karburant. Tani kemi para, por nuk ka karburant për të blerë”, thotë ai, duke përmbledhur në një fjali të vetme absurditetin e situatës.

Sri Lanka sapo ka dalë nga një krizë e thellë financiare, e cila në vitin 2022 e la vendin pa rezerva valutore dhe të paaftë për të importuar mallra jetike, përfshirë karburantin. Tani situata është stabilizuar disi, por duke qenë e vetëdijshme për rreziqet, qeveria ka ndërmarrë masa të reja shtrënguese, si shpallja e të mërkurës ditë pushimi dhe vendosja e racionimit të karburantit.

Megjithatë, radhët e gjata në pikat e furnizimit për të marrë sasinë e lejuar kanë krijuar probleme të tjera në jetën e përditshme.

“Sot nuk shkova në punë,” thotë Nimal, një punëtor që merret me kositjen e barit në Colombo. “Po e përballojmë jetën e përditshme me shumë vështirësi. Për shkak të radhëve… nuk kam as kohë të shkoj në punë. Dhe kur të kthehem, ndoshta dikush tjetër do ta ketë zënë vendin tim”.

Kështu, një krizë që ka nisur larg, përtej kufijve dhe kontinenteve, po reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve të zakonshëm, duke u bërë pjesë e sfidave të tyre të përditshme dhe duke i detyruar të përballen me pasiguri gjithnjë e më të mëdha.

Birmani

Në Birmaninë, e përfshirë nga lufta civile që nga maji i vitit 2021, autoritetet e mbështetura nga ushtria kanë vendosur një politikë të ditëve alternative për përdorimin e automjeteve private, ndërsa përpiqen të kursejnë karburant.

Për Ko Htet, që nuk është emri i tij i vërtetë – ndikimi nuk është aq shumë tek jeta e punës, sa tek jeta sociale.

“Zakonisht takohem me miqtë e mi një herë në javë ose një herë në muaj”, thotë punonjësi i bankës, i cili ka udhëtuar për në punë me transport publik.

“Tani duhet të diskutojmë se a do të takohemi ditët çift apo ditët tek, duke u siguruar që të gjithë janë në gjendje të vijnë”.

Ai gjithashtu shqetësohet se mund të lindë një treg i zi për karburant në muajt në vijim – gjë që shton shqetësimet për rritjen e çmimeve të mallrave.

India

Vendin më të populluar në botë e kanë prekur thellë ngjarjet në Lindjen e Mesme që nga 28 shkurti.

Komuniteti indian prej 10 milionë vetash në Gjirin Persik po përballet me pasojat direkte të luftës, por edhe në vendin e tyre, efektet e mungesës së naftës dhe gazit ndihen në mënyrë të ndjeshme, si në shtëpi, ashtu edhe në biznes.

Në shtetin perëndimor të Gujratit, mungesa e gazit, dhe jo e naftës, ka bërë që industria e qeramikës të mbyllet pothuajse për një muaj të tërë.

Pa një përfundim të afërt të konfliktit në Iran, 400.000 njerëz që punojnë në këtë sektor kanë mbetur në pasiguri.

“Do të më duhet të qëndroj pa ngrënë nëse vazhdoj të qëndroj këtu pa punë”, tha Sachin Parashar, një punëtor migrant, për një kanal lokal lajmesh.

Disa nga ata që kanë qëndruar përballen me pasiguri.

“Punëdhënësi im ka ofruar ushqim dhe strehim, por nuk e di se çfarë do të ndodhë nëse mbyllja vazhdon pafundësisht”, thotë Bhumi Kumar, një punëtor migrant i punësuar në një fabrikë që prodhon pllaka.

India është goditur rëndë nga mbyllja e ngushticës. Rreth 60% e gazit të lëngshëm të naftës (LPG) importohet, dhe rreth 90% e këtyre ngarkesave kalojnë përmes ngushticës së Hormuzit.

Dhe nuk janë vetëm fabrikat që përballen me vështirësi.

Në Mumbaj, një qytet me më shumë se 22 milionë banorë, deri në një e pesta e të gjitha hoteleve dhe restoranteve janë mbyllur plotësisht ose pjesërisht gjatë javëve të para të marsit. Ushqimet që kërkojnë më shumë kohë për t’u gatuar mungojnë në menu. Në të gjithë vendin janë formuar radhë të gjata ndërsa njerëzit përpiqen të sigurojnë bombolat e gazit, edhe pse qeveria përpiqet të qetësojë frikën për mungesën e tij.

“Situata në restorante është e rëndë. Thjesht nuk ka gaz për gatim”, tha Manpreet Singh, nga Shoqata Kombëtare e Restoranteve të Indisë, që përfaqëson rreth 500.000 restorante, për BBC-në.

Përktheu: Blerta Haxhiu /koha