Ndoqi udhëzimet e Google Maps, indoneziani fluturon me veturë nga ura e papërfunduar – shpëton pa ndonjë lëndim serioz

Ky është momenti kur shoferi i një veture nuk e dinte se ura mbi të cilën po lëvizte me veturë ishte e papërfunduar dhe bie nga 12 metra lartësi – krejt kjo duke i besuar Google Maps, por që për fat të mirë nuk pësoi ndonjë lëndim serioz.

Rudie Heru Komandono, 61-vjeç, kishte vendosur telefonin e mençur në veturën BMW Serie 3 duke ndjekur instruksionet e Google Maps që të arrijë në shtëpinë e mikut.

E derisa në aplikacion ishte regjistruar një rrugë e re në lindje të Java të Indonezisë, ai nuk ishte në dijeni që ura mbi të cilën po kalonte ishte e papërfunduar.

Ai fluturoi me veturë përmes urës së papërfunduar duke u përplasur në rrugën me vetura, dhe në fund goditi pemët në skaj të rrugës.

Kamerat e sigurisë kanë regjistruar këtë moment rrëqethës, kurse vetë shoferi tha se nuk ishte faji i tij për këtë, pasi ai thjesht kishte ndjekur GPS në telefonin e tij.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, mjekët trajtuan Rudie dhe një grua që ishte në veturë me të – që shpëtuan me disa lëndime të lehta trupore.