Duke qenë se vetë kemi kaluar një luftë relativisht jo shumë kohë më parë, do të pritej që të kishim një ndjeshmëri të veçantë ndaj dhimbjes së popujve të tjerë që sot përjetojnë tragjedi të ngjashme. Sot është duke u ushtruar një gjenocid para syve të botës. Pa filtra, pa efekte. Për njëzet muaj rresht. Të gjithë jemi dëshmitarë të shkatërrimit të një vendi dhe zhdukjes së një populli.
Në anën tjetër, javët e fundit kam lexuar për historinë e Lidhjes së Prizrenit. Janë të njohura vendimet e Kongresit të Berlinit dhe rreziqet me çka kanosej Shqipëria atëbotë. Duke parë rrezikun e copëtimit të trojeve shqiptare në mes të shtet kombeve të reja fqinje si, Malit të Zi, Serbisë e Greqisë, shqiptarët për qëllime mbrojtëse kishin nisur të organizoheshin. Në mesin e leximeve hasa në një letër të shkruar nga fiset shqiptare të Malësisë së Madhe të cilët ishin drejtuar me lutje konsullatës austro-hungareze, italiane, angleze dhe franceze. Ata në mënyrë kategorike ishin kundër dhënies së Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Kelmendit e viseve tjera që sipas marrëveshjes ndërkombëtare i takonin Malit të Zi. Në këtë peticion të shkruar me 4 Prill 1880 ata shpreheshin kështu: “…Ndryshimi i racës, besimit, zakonit e lirisë, që kemi fatin me gëzu janë në kundërshtim me aneksimin e pretenduar. Prandaj s’ka njeri që mos të dij privilegjet që qeveria e Naltmadhnisë së Tij Sulltanit na ka akordua në të gjitha anët, e ushtrimi i besimit, gjuhës e zakoneve janë prova të gjalla të kënaqjes sonë të plotë që jemi pjesëtarë të perandorisë së lumnueshme të Naltmadhnisë së tij Sulltanit, me t’cilat na ka lidhë tradita shekullore nderi e besnikërie. Dëshirojmë me jetu e me gëzu lirinë, për të cilën jemi kryenaltë; ndryshe na nuk kishim me ndejt pa kundërshtu cilindo qoftë për ndrimin e modifikimit të fatit tonë e të status-quosë. Prandaj kemi vendosë me derdhë gjakun deri në pikën e fundit para se të hyjmë në zgjedhën e ndonjë qeverie të huaj.” Fjalia “kemi vendosë me derdhë gjakun deri në pikën e fundit para se të hyjmë në zgjedhën e ndonjë qeverie të huaj”, më mbeti në mendje gjatë. Nuk ishte vetëm një deklaratë politike. Ishte britma e një populli që nuk pranon të shuhet. Dhe çuditërisht, një britmë e ngjashme dëgjohet edhe sot nga Gaza.
Ky nuk është një rast i izoluar dhe një përjashtim. Edhe dokumente të tjera të kohës, si një deklaratë e banorëve të Ulqinit gjatë vitit 1880, dëshmojnë qartësisht të njëjtin qëndrim. Në letrën e tyre drejtuar ndërkombëtarëve, ata shkruanin: “Ne banuesit e Ulqinit, që prej shekujsh kemi qenë nën zotërimin dhe nën mbrojtjen e pushtetit Osman, për ne është e pamundur të adaptojmë zakonet tona, gjuhën edhe besën tonë, me ato të Malit të Zi, që janë krejtësisht të ndryshme dhe mbase të kundërta. Nga ky shkak jemi të vendosur të dëbojmë çdo sulm që mund të vijë nga ana e Malit të Zi.”
Nga këto deklarata të shqiptarëve të asaj kohe shihet një rezonancë e thellë mes këtij qëndrimi dhe asaj që ndodh sot në Gaza. Shqiptarët në fund të shekullit XIX dhe palestinezët sot, janë përballur me plane për t’u aneksuar, për t’u shuar ose për t’u shndërruar në pakica nën sundimin e një tjetri. Të dyja palët kanë ngritur rezistencën jo si akt dëshire për luftë, por si një refuzim i nënshtrimit.
Rezistenca palestineze në Gaza, me gjithë kompleksitetin e saj, më ka bërë të mendoj më thellë për atë që kanë ndjerë dikur shqiptarët në përballje me copëtimin, me rrezikun e humbjes së tokës, dëbimin nga ajo dhe humbjen e lirisë. E kam përjetuar ndryshe historinë tonë, duke parë në sytë e një populli tjetër që sot përpiqet të mbijetojë, të ruajë identitetin, të mos dorëzohet, edhe kur bota hesht ose i mbyll sytë.
Shqiptarët e fundshekullit XIX kishin përballë Fuqitë e Mëdha dhe lakmitë territoriale të fqinjëve. Palestinezët sot përballen me një izolim të skajshëm, pushtet të pamëshirshëm që mohon çdo të drejtë elementare të njeriut. Por ndjenja themelore është e njëjtë: ajo e rezistencës, e së drejtës për të jetuar në tokën tënde pa t’u mohuar ekzistenca.
Leximi i kësaj letre të 1880-ës, ku krerët e fiseve malore, me shumicë katolike, shprehnin besnikëri të plotë ndaj Sulltanit dhe Perandorisë Osmane, më shtyu të mendoj edhe për diçka tjetër. Si është e mundur që një dokument kaq i qartë, i shkruar në emër të vetë shqiptarëve të kohës, të bie kaq shumë në kundërshtim me narrativën historike që sot mbizotëron në shumicën e historiografisë shqiptare? Si ka mundësi që një pjesë e mirë e historianëve bashkëkohorë ende i qasen Perandorisë Osmane me një gjuhë thuajse ideologjike: si “pushtuese”, “shfarosëse”, “e errët”, dhe “pengesë për ndërtimin e kombit shqiptar”?
Në përgjithësi, dihet se në historiografinë e vendeve pasuese të Perandorisë Osmane, periudha osmane përshkruhet me terma negativë si “pushtim”, “shtypje” e të ngjashme. Parë nga paradigma moderniste/zhvillimore, që në fillim të proceseve të ndërtimit të kombeve, është prodhuar ideja se sundimi osman përbënte pengesën kryesore për zhvillimin apo modernizimin e popujve të rajonit. Ky përfytyrim për periudhën osmane është riprodhuar vazhdimisht nga historiografia zyrtare/kombëtare, e cila ka qenë një nga mjetet më të rëndësishme për konsolidimin e proceseve të ndërtimit të shteteve-komb (shih: Bülent Bülmez).
Lidhja e Prizrenit në historiografinë shqiptare pasqyrohet si një kryengritje popullore anti osmane, dhe si një ‘zgjim’ politik e ushtarak (shih: Kristo Frashëri). Ndërsa dokumentet arkivore së bashku me memoaret e bashkëkohësve dëshmojnë se ishte pikërisht Porta e Lartë ajo e cila jo vetëm që e mbështeti dhe ia dha dritën e gjelbërt kësaj lidhjeje por edhe kontribuoi në themelimin e saj (shih: Ekrem Bej Vlora, Kujtimet). Shqiptarët e Lidhjes së Prizrenit, në pjesën dërrmuese, nuk luftuan për pavarësi nga Perandoria Osmane. Ata luftuan për ruajtjen e tokave shqiptare brenda asaj perandorie, për të shmangur copëtimin prej fqinjëve ballkanik. Besnikëria e tyre ndaj Sulltanit nuk vinte nga servilizmi, por nga bindja se ajo perandori u garantonte një status që, të paktën në atë moment, ishte më i favorshëm se çdo alternativë tjetër.
Po ta lexojmë me ndershmëri, historia osmane për shqiptarët nuk është një kapitull i zi — është një periudhë me dritëhije, ku shqiptarët jo vetëm që rezistuan, por edhe u ngritën, u bënë pjesë e elitave administrative dhe ushtarake, formuan një klasë intelektuale të re, dhe më vonë, kur koha erdhi, përdorën edhe vetë institucionet osmane për të formësuar projektin kombëtar.
Edward Hallett Carr në librin e tij What is History thotë se “faktet janë të disponueshme për historianin në dokumente, mbishkrime e kështu me radhë, sikurse peshqit në pllakën e peshkatarit. Historiani i mbledh ato, i çon në shtëpi, i gatuan dhe i shërben në çfarëdo stili që i pëlqen.”
PhD Merjeme Gashi








