Ballina Artikuj Nëse dëshiron ta kuptosh se çfarë është Arafati, mos e lër pa...

Nëse dëshiron ta kuptosh se çfarë është Arafati, mos e lër pa e lexuar këtë artikull.

Ed'hem Sherkavi

Kjo është Arafati, o Allah!
Vendi: Arafat
Koha: viti i dhjetë pas Hixhretit
Ngjarja: Haxhi i Lamtumirës
Le të kthehemi pak pas në kohë… plot njëzet e tre vite më parë.
Një burrë i vetëm, në një shpellë të errët në luginat e Mekës, po zbriste me një dritë që do ta ndriçonte mbarë botën!
Që nga ai çast, ky njeri analfabet do t’u mësonte dijetarëve, filozofëve dhe mendimtarëve se si të bëhen njerëz të vërtetë!
Që nga ai çast, ky jetim do t’u mësonte burrave të botës se si të jenë etër të mirë!
Që nga ai çast, ky që humbi nënën që fëmijë do t’u mësonte grave të botës si të bëhen nëna të denja!
Që nga ai çast, ky që nuk njihej për trimëri luftarake do t’u mësonte udhëheqësve të botës strategjitë e luftës dhe moralin e luftëtarëve!
Që nga ai çast, ky i varfër që ruante delet e pasanikëve të Kurejshit do t’u mësonte të pasurve të botës ligjin e zekatit, do t’i nxiste për sadaka, do t’i ndante plaçkat me drejtësi dhe do ta shpërndante pasurinë me bujari!
Por rruga drejt Haxhit të Lamtumirës nuk ishte e shtruar me rehati…
Ishin njëzet e tre vite sakrifice dhe mundimi.
Që në çastin e parë, Vereka ibn Nofel i kishte thënë se populli i tij do ta dëbonte!
Dhe ai e kishte thënë të vërtetën.
Iu ngushtua qyteti që e donte aq shumë, ndërsa populli i tij , të cilit kishte ardhur t’ia shpëtonte shpirtin nga zjarri , komplotoi për ta vrarë!
Doli natën drejt Medinës, pa askënd përveç shokut të tij, ndërsa Allahu ishte i treti me ta.
Ndërtoi shtet si gjenitë, luftoi si trimat, bëri marrëveshje si liderët, ngriti aleanca si strategët…
Pastaj u kthye në Mekë dhe hyri në të ditën, nga katër portat e saj, fitimtar!
Ndërsa sot… ai qëndron mbi malin e Arafatit.
Rreth tij janë njëqind e dyzet mijë njerëz; të gjithë presin të flasë që ta dëgjojnë, të urdhërojë që ta zbatojnë dhe të ndalojë që të ndalen.
Pastaj zëri i tij fisnik tha:
“Dëgjoni prej meje, sepse nuk e di nëse do t’ju takoj më pas këtij viti në këtë vend.”
Ai e dinte se fundi po afrohej.
Kishte ardhur ndihma e Allahut dhe fitorja.
Dhe deshi që kjo të ishte një hutbe gjithëpërfshirëse… e ashtu mbeti!
“O njerëz! Gjakun tuaj, nderin tuaj dhe pasurin tuaj ua ka bërë Allahu të shenjta, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë, në këtë muaj dhe në këtë vend! A e kam përcjellë mesazhin? O Allah, dëshmo!”
A mos e dinte vallë se do të vinte një kohë kur do të derdhnim gjakun e njëri-tjetrit, do të cenonim nderin e njëri-tjetrit dhe do të hanim pasurinë e njëri-tjetrit?!
Ai thirri… por ne nuk dëgjuam.
Na kumtoi… por ne nuk iu bindëm.
Na këshilloi… por ne nuk e ndoqëm.
Na kujtoi… por ne harruam.
Madje do të ketë njerëz që Allahu do t’i privojë nga shefati i tij, dhe do t’i thuhet atij:
“Ti nuk e di çfarë shpikën pas teje!”
Pastaj vazhdoi:
“Kamata e kohës së injorancës është e anuluar. Ju takon vetëm kapitali juaj; as të bëni padrejtësi, e as t’ju bëhet padrejtësi. Dhe kamata e parë që unë anuloj është kamata e xhaxhait tim, Abbas ibn Abdulmuttalibit.
Po ashtu, gjakmarrjet e kohës së injorancës janë të anuluara, dhe gjaku i parë që unë e anuloj është gjaku i Amir ibn Rabias, birit të Harith ibn Abdulmuttalibit.”
Sa madhështor ishte!
Kamata e parë që u anulua ishte kamata e xhaxhait të tij.
Dhe gjaku i parë që u fal ishte gjaku i kushëririt të tij.
Ai është po ai që më herët kishte thënë:
“Sikur Fatimja, bija e Muhamedit, të kishte vjedhur, do t’ia prisja dorën!”
E larg qoftë Fatimja nga kjo!
Por ai deshi të regjistrojë në histori se Islami ishte i pari që tha:
Askush nuk është mbi ligjin!
Kamata është haram, edhe nëse është kamata e Beni Hashim.
Hakmarrja e injorancës është haram, edhe nëse është gjaku i Beni Rebia .
Vjedhësit i pritet dora, edhe nëse është bija e tij.
Ai deshi të na mësojë se kjo fe nuk njeh favorizime.
E vërteta mbetet e vërtetë edhe nëse e sjell njeriu më i dobët.
E kota mbetet e kotë edhe nëse vjen nga më i afërti i sundimtarit!
Pastaj tha:
“O njerëz! Gratë tuaja kanë të drejta mbi ju, ashtu si edhe ju keni të drejta mbi to. Silluni mirë me gratë, sepse ato janë amanet tek ju. Ju i keni marrë me amanetin e Allahut dhe i keni bërë të lejuara për veten tuaj me fjalën e Allahut. Prandaj, frikësojuni Allahut në raport me gratë!”
Kështu ai e bëri gruan një përgjegjësi të burrit, jo një pronë të tij.
Edhe pse ai e mori me besën dhe ligjin e Allahut, le ta bëjë atë:
nënë, jo vetëm mjet lindjeje;
shoqe jete, jo shërbëtore;
dashuri zemre, jo objekt epshi!
Pastaj tha:
“O njerëz! Zoti juaj është Një dhe babai juaj është një. Të gjithë jeni prej Ademit, e Ademi është prej dheut!”
Ky është Islami madhështor!
Jo prejardhja, jo fisi, jo raca!
Ebu Lehebi hashimit është në zjarr, ndërsa Bilali etiopian është në xhenet.
Ebu Xhehli kurejshit është në zjarr, ndërsa Selmani persiani është në xhenet.
Umejje ibn Halefi arabi është në zjarr, ndërsa Suhejbi romak është në xhenet.
Sikur prejardhja ta shpëtonte dikë, do ta kishte shpëtuar Ebu Lehebin.
Sikur pushteti ta shpëtonte dikë, do ta kishte shpëtuar Nimrodin.
Sikur pasuria ta shpëtonte dikë, do ta kishte shpëtuar Karunin.
Por më i ndershmi tek Allahu është më i devotshmi!
Dhe koha kalon… më shumë se një mijë e katërqind vite.
E ja ku jemi sot…
Kjo është Arafati sot, o Allah!
Këta janë mysafirët e Tu, të cilëve u the: “ Për Allahun, njerëzit kanë për detyrë ta vizitojnë Qaben…”
E ata të thanë:
“Lebbejke Allahumme lebbejk!”
Dhe erdhën tek Ti nga çdo cep i botës.
Këta janë ata me të cilët Ti mburresh para melaikeve duke thënë:
“Më erdhën robërit e Mi të pluhurosur e të lodhur.”
Po, robërit e Tu, o Allah!
Të varfërit, nëse Ti nuk i pasuron…
Të dobëtit, nëse Ti nuk i forcon…
Të nënçmuarit, nëse Ti nuk i nderon…
Të përçarët, nëse Ti nuk i bashkon…
Të mposhturit, nëse Ti nuk i ndihmon…
Të thyerit, nëse Ti nuk i shëron…
Kjo është Arafati, o Allah!
Dhe këta janë haxhinjtë e Tu.
Ti i pyet melaiket:
“Çfarë duan këta?”
Ata nuk duan askënd tjetër përveç Teje!
Kanë dëgjuar se tregu i faljes dhe lirimit nga zjarri është hapur, ndaj erdhën të të shesin mëkatet e tyre dhe të blejnë faljen Tënde.
Prandaj mos e mbyll këtë treg pa ua blerë mëkatet, pa ua dhënë faljen dhe pa i liruar nga zjarri!
Kjo është Arafati, o Allah!
Ndoshta këtë vit nuk na u mundësua të qëndrojmë në të, por nuk na u mbyll dera Jote!
Erdhëm tek Ti me mëkatet tona, duke të kërkuar , si ai që e di se Ti nuk e refuzon askënd , që t’i lirosh qafat tona nga zjarri.
Erdhëm tek Ti me sy që panë haramin,
me veshë që dëgjuan përgojim,
me dhëmbë që përtypën mishin e njerëzve,
me gjuhë që folën për nderin e tyre,
me këmbë që ecën larg kënaqësisë Tënde
dhe me duar që u shtrinë drejt asaj që Ti e ndalove.
Erdhëm tek Ti për të të thënë:
Nuk të kundërshtuam duke e nënvlerësuar mbikëqyrjen Tënde, as duke e përçmuar dënimin Tënd…
Por na mashtroi falja Jote dhe u guxuam ndaj Teje.
Na joshte mëshira Jote dhe shpresuam tek Ti.
Ne nuk kemi strehë tjetër përveç Teje!
Ja ku jemi në derën Tënde: mëkatarë dhe të penduar.
Dhe kjo është dita për të cilën, nga madhështia e faljes Tënde, thuhet se edhe Iblisi mendon se do të falet!
Prandaj mos na barazo me të…
Sepse, pavarësisht gjithçkaje që kemi bërë, ne të duam Ty, o Allah!

Përshtatur nga shkrimi i Adham Sharqawi