Kërkon ish-liderin e dikurshëm britanik në Evropë, por harron që vetë nuk është Roosevelt-i
Deklarata e fundit ironike e Donald Trump-it ndaj kryeministrit britanik Keir Starmer dhe liderëve të tjerë evropianë, duke i tallur ata për “mungesë e formatit të Churchillit”, është një thikë me dy presa që kërkon një analizë përtej retorikës së fushatës apo zhurmës diplomatike të radhës.
Duke përdorur si njësi matëse emrin e Winston Churchill, Trump tenton të zhvlerësojë aleatët tradicionalë, por njëkohësisht fton një pyetje të pashmangshme: në cilin kapitull të historisë e sheh ai veten?
Nëse Churchill është standardi, duhet kujtuar se homologu i tij amerikan ishte Franklin D.Roosevelt. Por, ndërsa Trump përmend Churchill-in, ai përfaqëson pikërisht të kundërtën e asaj që Roosevelt ndërtoi krah tij.
Roosevelt ishte arkitekti i “Arsenalit të Demokracisë”, njeriu që e nxori Amerikën nga guaska e izolimit për të shpëtuar botën e lirë, ndërsa Trump po tenton ta kthejë atë guaskë në një doktrinë shtetërore.
Churchill nuk u bë i madh sepse ishte një “showman” apo sepse izoloi Britaninë. Përkundrazi, ai u bë i pavdekshëm sepse gjeti te Roosevelt një partner që besonte se fati i Amerikës ishte i lidhur pazgjidhshmërisht me lirinë e Evropës.
Kur Trump godet Starmer-in apo liderët e BE-së për mungesë stature, ai harron se forca e Churchill-it buronte nga besnikëria ndaj aleancave, jo nga minimi i tyre përmes tarifave apo kërcënimeve për braktisje të NATO-s.
Nëse Evropa nuk ka sot një “Churchill”, kjo ndodh edhe sepse po përballet me një lloj të ri “izolimi amerikan” që Trump e promovon me krenari. Roosevelt dhe Churchill ndërtuan një rend botëror bazuar te parimet.
Ndëkohë Trump e sheh botën si një tabelë shahu transaksionale ku lëvizjet bëhen vetëm për përfitime momentale. Të ironizosh Starmer-in pse nuk ka forcën e viteve 1940 është e lehtë, por të udhëheqësh një botë të fragmentuar pa besimin e aleatëve është shumë e rrezikshme.
Nëse Evropa nuk ka një Churchill, ajo të paktën po përpiqet të ruajë rendin që ai dhe Roosevelt ndihmuan të ndërtohej. Ironia e Trump-it mund të godasë egon e liderëve aktualë, por historia nuk të gjykon nga sa fort bërtet, por nga sa i qëndrueshëm është rendi që lë pas.
Nëse Trump kërkon një Churchill në Evropë, ai duhet fillimisht të vendosë nëse dëshiron të jetë një Roosevelt që mbron qytetërimin, apo njeriu që e lë atë në mëshirë të fatit për hir të një slogani elektoral. /tesheshi


