Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Netanyahu fton Vuçiqin për vizitë në Izrael

Netanyahu fton Vuçiqin për vizitë në Izrael

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike miqësore me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, transmeton Anadolu.

“Kryeministri Netanyahu më falënderoi për bashkëpunimin tonë të gjatë e të suksesshëm, si dhe për kontributin tim të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Izraelit”, shkroi Vuçiq në rrjetet sociale.

Ish-presidenti serb tha se Netanyahu shprehu shpresën se të dyja palët do të vazhdojnë të kenë mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit mes vendeve të tyre, si dhe theksoi se, në shenjë miqësie, Netanyahu e ftoi atë ta vizitojë Izraelin.

Duke e falënderuar për telefonatën, Vuçiq tha se gjatë periudhës së kaluar, pavarësisht sfidave të ndryshme globale, të dy vendet kanë arritur t’i çojnë marrëdhëniet serbo-izraelite në një nivel dukshëm më të lartë.

Ai shprehu gatishmërinë për të vazhduar të kontribuojë personalisht në forcimin e bashkëpunimit dypalësh.

Më 25 tetor, në Serbi u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku sipas të dhënave të publikuara, Lista e Studentëve siguroi 53,01 për qind të votave, ndërsa lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” mori mbështetjen e 38,98 për qind të votuesve.