Netflix ul çmimet për abonentët në më shumë se 30 vende

Gjiganti i transmetimit Netflix ka ulur çmimet në më shumë se 30 vende teksa përpiqet të tërheqë më shumë abonentë.

Çmimet janë ulur në pjesë të Azisë, Evropës, Amerikës Latine, Afrikës Sub-Sahariane dhe Lindjes së Mesme.

Kjo vjen pasi rritja e kostos së jetesës po i bëjnë njerëzit të kursejnë dhe Netflix përballet me konkurrencë të shtuar nga shërbimet rivale.

“Anëtarët nuk kanë pasur kurrë më shumë zgjedhje kur bëhet fjalë për argëtimin”, tha një zëdhënës i kompanisë për BBC.

Vendet në të cilat tarifat e abonimit janë ulur përfshijnë Malajzinë, Indonezinë, Tajlandën, Filipinet, Kroacinë, Venezuelën, Keninë dhe Iranin.

Shkurtimet zbatohen për plane të caktuara çmimesh, me tarifat e abonimit që bien përgjysmë në disa raste.

Kompania nuk përmendi Mbretërinë e Bashkuar apo SHB-në si vendet ku kishte ulur çmimet e saj.