Neymar në lot, dëshiron rikthimin te Barcelona

Neymar dëshiron rikthimin te skuadra e Barcelonës.

Pavarsisht deklaratave të tij, duket se aventura e Neymar në Paris, nuk është fushë me lule. E ndoshta braziliani është penduar që la Barcelonën, për t’ju zhdukur hijes së Messit, por tani duket se “rivali” i tij është Kylian Mbappe. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, “O Ney” ëndërron për një rikthim të madh tek ish-skuadra e tij, ku ka lënë pas shumë miq të tij. Por, në këto raste, marrëveshja përfshin tre palë, por njëra prej tyre është krejtësisht kundër kësaj hipoteze. Nuk është Paris Saint Germain, por vetë Barça.

Neymar, sipas asaj që thonë në Spanjë, po paguan çmimin e ambicies së tij, por mbi të gjitha zgjedhjen që bëri duke dëgjuar babain, i cili këmbënguli për një largim të të birit nga katalanasit, edhe pse gjendej shumë mirë. Zërat kanë arritur deri aty, sa thonë se Neymar ka qarë për gjendjen e tij aktuale, duke kontaktuar një drejtues të Barcelonës me kërkesën për t’u kthyer në shtëpi.

Por, blaugranat nuk e duan këtë gjë. Ata janë shumë të zhgënjyer me Neymar, për mënyrën se si iku duke aktivizuar klauzolën, por dhe këmbëngulja e brazilianit, që ishte gati të çonte ish-ekipin e tij në gjykatë, vetëm për t’u larguar drejt Parisit.

Mundësitë për një rikthim në Katalunjë për 26-vjeçarin, aktualisht janë shumë të vogla. Në rast se ai do të kthehet në Spanjë, fanella me të cilën mund ta shohim do të jetë ajo e Realit të Madridit.