Nga java e ardhshme kosovarët mund të zgjedhin se cilën vaksinë duan ta marrin

Ministria e Shëndetësisë inkurajon qytetarët e vendit që të aplikojnë për marrje të vaksinës kundër COVID-19.

MSH njofton se që nga java e ardhshme qytetarëve do t’u ofrohet mundësia që të përcaktohen për llojin e vaksinës që do ta marrin (në konsultim me mjekun e ekipit të vaksinimit), pasi ka mjaftueshëm vaksina në stok.

“Duke qenë që stoku aktual me vaksina kundër COVID-19 është i qëndrueshëm, Komiteti për imunizim kundër COVID-19 vendosi që duke filluar nga java e ardhshme qytetarëve t’u ofrohet mundësia që të përcaktohen për llojin e vaksinës që do ta marrin (në konsultim me mjekun e ekipit të vaksinimit), për aq kohë sa ekziston kjo mundësi”, thuhet në njoftim.

Ministria fton qytetarët që të aplikojnë për vaksinim në: https://ekosova.rks-gov.net/Service/14

Kategoritë të cilat mund ta caktojnë termine për vaksinim janë si në vijim:

· Qytetarët e moshës mbi 40 vjeç.

· Personat me sëmundje kronike pa dallim moshe (me dëshmi mjekësore);

· Qytetarët që i takojnë ndonjërit nga profesionet si: Punëtorë shëndetësorë; Mësimdhënës; Forcat e sigurisë (Policia dhe FSK); pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë së Kosovës; pjesëtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë; pjesëtarët e Autoritetit Civil të Kosovës; zjarrfikësit;

· Qytetarët të cilëve u kërkohet vaksinimi nga Ambasadat për udhëtim jashtë vendit (për çështje të vizave).

· Zyrtarët publikë;

· Zyrtarët e Agjencionit të Aviacionit;

· Agjencia Shtetërore e Navigimit Ajror;

· Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”;

· Zyrtarët doganorë;

· Gazetarët;

· Gastronomia-dëshmi kontrata e punës.

Ministria tërheq vërejtjen se cilado kategori e qytetarëve që merr mesazhin/njoftimin për vaksinim, me rastin e paraqitjes në qendrën e vaksinimit sipas vendbanimit të tij, të ketë me vete dëshmi për kategorinë të cilës i përket.

Vëmendje:

Të gjithë ata qytetar të cilët kanë aplikuar për marrje të vaksinës nga data 29.03.2021 – 15.06.2021 dhe nuk janë kontaktuar, njoftohen se mund ta caktojnë terminin për vaksinim në platformën e-Kosova përmes llogarive të krijuara më parë.