Një grua emërohet në krye të Policisë së New Yorkut, për herë të parë në histori

Keechant Sewell

Forcat policore të qytetit të New Yorkut do të drejtohen nga një grua për herë të parë në historinë e tyre 176-vjeçare, njoftoi të mërkurën kryebashkiaku, Eric Adams.

Keechant Sewell, 49-vjeçare, është një veterane 23-vjeçare e Departamentit të Policisë Nassau në Long Island, ku ajo u bë shefe e detektivëve në shtator të vitit 2020.

Për kryebashkiuakun Adams, ky vendim përmbush një premtim të fushatës për të emëruar një komisionere femër.

Departamenti i Forcave Policore të New Yorkut është forca më e madhe policore në SHBA.

Duke folur për mediat të mërkurën në mëngjes, Adams – një ish-kapiten i Policisë së New Yorkut, ka thënë se gratë shpesh janë “ulur në stol” dhe “nuk lejohen kurrë të hyjnë në lojë” kur bëhet fjalë për policinë.

“Kjo po merr fund sot”, ka thënë ai.

Sewell, e cila është me origjinë nga bashkia Queens e New Yorkut, ka shërbyer më parë në njësitë kryesore të narkotikëve në qarkun Nassau të New Yorkut dhe njësitë kryesore të çështjeve, dhe si negociatore pengjesh.

Ndërkohë Sewell ka thënë se ajo ishte “e ndërgjegjshme për natyrën historike të këtij njoftimi” dhe shpreson të përmirësojë marrëdhëniet midis policisë dhe banorëve të qytetit të New Yorkut”.

“Unë do të sjell një perspektivë të ndryshme për t’u siguruar që departamenti të duket si qyteti të cilit i shërben dhe duke marrë vendimin, ashtu siç bëri kryebashkiaku Adams, për të ngritur gratë dhe njerëzit me ngjyrë në poste drejtuese”, ka thënë ajo.

Departamenti i Policisë së New Yorkut numëron rreth 35,000 oficerë policie, nga të cilët afërsisht 18% janë gra. /koha