Një person vritet nga shërbimi sekret pas një përplasje me armë pranë Shtëpisë së Bardhë
Një tjetër incident i armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë ka rikthyer frikën dhe tensionin në zemër të politikës amerikane. Një person i armatosur, i cili sipas autoriteteve hapi zjarr ndaj një pike kontrolli të Shërbimit Sekret pranë rezidencës presidenciale, mbeti i vrarë pas shkëmbimit të zjarrit me oficerët federalë.
Asgjencia Reuters raporton se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ndërsa presidenti Donald Trump ndodhej brenda Shtëpisë së Bardhë.
Sipas deklaratës zyrtare të Shërbimit Sekret, burri iu afrua pikës së kontrollit në kryqëzimin e Rrugës së 17-të me Pennsylvania Avenue, nxori një armë nga çanta dhe nisi të qëllonte drejt oficerëve të sigurisë.
Agjentët iu kundërpërgjigjën menjëherë, duke e plagosur rëndë të dyshuarin, i cili më vonë ndërroi jetë në spital. Po ashtu edhe një kalimtar u plagos gjatë incidentit, megjithëse autoritetet nuk dhanë detaje të plota mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Hetuesit po përpiqen ende të përcaktojnë nëse ai u godit nga të shtënat e agresorit apo gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e sigurisë. Burime thanë për Reuters se i dyshuari ishte një person me probleme emocionale dhe ndaj tij ishte lëshuar më parë një urdhër ndalimi për t’iu afruar zonës.
Megjithatë, motivet e sakta të sulmit mbeten ende të paqarta. Incidenti ndodh vetëm pak javë pasi një tjetër person i armatosur hapi zjarr brenda hotelit ku po zhvillohej darka tradicionale e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke detyruar Trumpin dhe zyrtarët e tjerë të largoheshin me urgjencë nga vendi i ngjarjes.
Donald Trump po hyn në histori si presidenti ndaj të cilit janë regjistruar më shumë tentativa, kërcënime apo incidente të dhunshme.
Për shumë analistë politikë, kjo nuk është vetëm çështje sigurie, por një tregues i nivelit ekstrem të polarizimit që ka përfshirë vendin gjatë epokës Trump.
Retorika e tij agresive, përplasjet e vazhdueshme me kundërshtarët politikë, mediat, institucionet federale dhe madje edhe pjesë të elektoratit konservator kanë krijuar një klimë të ndezur politike, ku tensioni shpesh kalon kufijtë e debatit normal demokratik.
Mbështetësit e Trumpit argumentojnë se ai është viktimë e një urrejtjeje politike të paprecedentë nga establishmenti amerikan dhe kundërshtarët liberalë.
Nga ana tjetër, kritikët thonë se vetë Trump ka ushqyer për vite me radhë një kulturë përçarjeje dhe konfrontimi që tani po kthehet në një spirale të rrezikshme dhune politike.
Ngjarja e fundit pranë Shtëpisë së Bardhë vetëm sa e thellon këtë perceptim. Fakti që një president amerikan përballet vazhdimisht me incidente të tilla ngre pikëpyetje të forta mbi klimën politike në SHBA dhe mbi atë nëse vendi po hyn në një epokë ku dhuna politike po normalizohet. \tesheshi







