Një Përjetim Ramazani…

Metin Izeti

Përderisa xhemati kishte dalur prej xhamie pas faljes së namazit të teravisë, vetëm një njeri ishte strukur në njërin skaj të sofës së xhamisë dhe pandërprerë qante . Muezzini i xhamisë bëhej gati të mbyll xhaminë, prandaj edhe iu drejtua:
– Zotri, u bë vonë, të gjithë njerëzit dolën dhe u nisën drejtë shtëpive të veta, shpejto pak dhe të dalim… Do ti mbyllim dyert e faltores. A nuk të mjaftoi që po vajton prej mëngjesit? Çfarë derti të skajshëm paske? Shiko pak përreth, askush nuk ka mbetur të gjithë kanë shkuar në shtëpitë e veta. A mos vallë nuk e sheh edhe errësirën e natës?
– Natë thua a, çfarë nate? Nga momenti që shpirti është shndëruar në vendbanim të Dashurit, nuk kam forcë që të dalloj natën nga dita. A nuk jeni duke e vërejtur se dashuria ndaj Tij më shkriu, jo vetëm mua, por edhe gjithësinë e futi në flakën e Tij. Diejt, hënat, yjet , të gjitha dritën e marrin prej Tij.
Unë nuk e di kur është ditë e as kur është natë. Unë e di vetëm Atë dhe vetëm Atij i përkulem. Netët janë vetëm për ata si ju, me fytyra dhe tesha të zeza.Drita e ditës suaj turpërohet dhe i mbyll sytë para dritës së netëve të mia.
O Zoti im! Betohem në dashurinë Tënde që çdo grimcë timen e dogje si kandil, se pamundësia ime për të përfshirë me emocione bukurinë Tënde mi morri sytë.. Ndoshta ky është shkaku që nuk shoh asgjë tjetër përveç Teje.
Ky trupi im më nuk është trup… Në te nuk ka asnjë kënaqësi tjetër , përveç adhurimit dhe përkushtimit ndaj Teje… Të betohem se nuk ka.
Në te nuk ka as jetë as vdekje, një dëshirë bile nuk ka.
O Zot më fal mua… Më fal mua prej çdo gjëje përveç Teje! Sikur të kishte gjuhë secili prej organeve të mia, do të belbëzonte vetëm emrin Tënd dhe asgjë tjetër. Nëse do të ma çanin gjoksin dhe të më dukej zemra, aty nuk do të gjenin asgjë përveç flakës së dashurisë ndaj teje. Sytë e mi e kanë thithur persiatjen për Ty, dhe ajo është bërë gurra e diellit të amshimit. Çdo qelizë e trupit tim është gjallëruar me dashurinë Tënde. Jam shndëruar në pasqyrim të dashurisë, në kurth eternal të ashkut.
Kjo është dashuria që më krijoi mua dhe gjithësinë… si rrjedhë unë u fsheha në të, unë u strehova në prehërin e saj. O Zot, o gjallëri e vetme për mua dhe gjithësinë, dashuria e vetme për qenësinë! Shikomë, më shiko në fytyrë… Më shiko në sytë që të kanë vjedhur Ty! Nuk ka gjë tjetër që mund të shihet, ekzistencë që mund të adhurohet, bukuri tjetër, gjallëri dhe fuqi tjetër përveç Teje! Ku është bota që unë jetoj ? Sytë nuk më shohin asgjë përveç Teje. Ti je përbotshmëria dhe ajobotshmëria ime!
Gëzimi i qeshësit, dhimbja e vajtuesit, duart e ngritura drejtë qiellit të lutësit, janë për Ty, janë vetëm për shkak Tëndin… Mirëpo bota nuk e din… Nuk e din se ai që të bën të qeshësh, të vajtosh, të kërkosh, të përgjigjesh je vetëm Ti dhe vetëm Ti. Në gjithësi nuk ka gjallëri reale pos Teje, por edhe këtë nuk e dijnë. Ç’fajde? Le të mos e dijnë… Ti e din… mjafton… Njëshi është më i fortë se totali.
O Zoti im, herë jam i pavendosur dhe vajtoj, herë digjem , shkatërrohem për shkak të brengës dhe fuqisë së dashurisë ndaj Teje. Herë të adhuroj dhe bëhem i urtë, i pamundshëm dhe sillem mirë; për shkak të ngadhnjimit të qetësisë në dashurinë tënde. Herë nuk e di se çka jam dhe çka do të bëhem, valoj si kashta në sipërfaqen e detit, pa dëshirë dhe pa brenga; për shkak të ngarkesës dhe shtërngimit të dashurisë Tënde.
Pandërprerë unë kaloj prej gjendjes në gjendje tjetër, ndërsa Ti më mundëson që ta bëj atë.
– Hesht më o njeri… Të thash që u bë mesnatë. Ec lere bisedën dhe largohu prej këtu! Kujt ia drejton të gjitha këta fjalë? Nuk kuptuam asnjë fjalë prej asaj që thua. Nëse dëshiron të sillesh mirë na lejo që ne ta bëjmë punën tonë dhe ta mbyllim xhaminë.. Të mbyllim dyert dhe të shkojmë në shtëpitë tona.
– Që nga momenti që di për vehten, unë fjalët ia drejtoj Zotit tim. Ju kush jeni? Unë nuk njoh ekzistencë tjetër pos Tij. Kush ka përveç Tij që unë t’i drejtohem me fjalë ose të orientohem drejtë atij?
Pse më dëgjoni? Mos më dëgjoni. Më leni, ikni! Shkoni në shtretët tuaj të ashpër, mos rrini, ikni. Unë nuk kam ardhur që të vjedh orenditë e vlefshme të kësaj faltoreje, mos u frikoni. Stolitë që i keni brenda le ti mbajnë ata që i dëshirojnë. Unë kam ardhur këtu për shkak se dashuria ime ka kthyer këndej një herë. Në gjurmët e këmbëve të tija, ka njëqind diej për sytë e mi. Kjo natë që juve ju duket e errët, për mua është një agim që shndërrit nga njëqind anë. Si keni guxim ti thoni errësirë kësaj drite që ndriçon nga të katër anët. Erdha këtu që të qaj dert me gjurmët e dashurisë sime; A edhe kjo ju duket e tepërt për këmbët e mia që nuk kanë forcë të ngjiten në lagjen e Tij?
Të gjorë, sikur ta kishit ditur, nuk do të kishit frikë prej meje… Fakt është unë jam hajn, por nuk vjedh asgjë tjetër pos dashurisë së Tij. Ecni, ikni , më leni të qetë për hirë të Zotit!
– Përsëri fol kotë, hesht, mjaftë të thamë njëherë…
– Keni të drejtë… Ah sikur të kisha mundësi të heshti. Disaherë një fjalë e njeriut është më me vlerë se të gjitha bisedat e jetës së tij. Edhe unë nuk kam dëshirë të flas shumë, mirëpo sikur brumi që fryhet ashtu edhe fjalët e mia pa vetëdije dalin prej dashurisë me të cilën është nxënë brumi im. Nëse fryerja dhe dalja prej enës së brumit është mëkat, atherë llogaria duhet të kërkohet prej gatuesit.
Në fund njëri prej dy rojeve u nis që me dhunë ta largoje prej faltores, ndërsa tjetri e pengoi, duke i thënë:
– Lere këtë të humbur… le të flejë brenda, ndoshta kemi ndonjë sevap edhe ne. Çdo rob ka ndonjë kërkesë prej Zotit, mirëpo të këtijat as kryhen e as mjaftojnë. Ta lëmë, ndoshta deri në mëngjes i kryhen kërkesat.
Atëherë sytë e tij ndriçuan dhe i mbështetur në njërin prej shtyllave të faltores tha:
– Larg qoftë! Unë nuk kërkoj asgjë prej Zotit tim. Fjalët e mia nuk janë kërkesa por mallëngjim. Çka nuk më ka dhënë I Madhi, që unë ta kërkoj? Cilën dhunti të Tij nuk e kam pëlqyer që të kërkoj të ma kthejë prapë? Ashtu siç ujit nuk i lidhet nyje , ashtu edhe zemra ime nuk ka pengesa në rrugëtimin e saj të patrajtë drejtë Krijuesit.