Nuk janë thirrës…

Shejkh Muhamed El-Gazali (r.a)

I kam vështruar disa njerëz në fushën e thirrjes, pastaj shpresoja sikur të ishin zënë me ndonjë profesion tjetër! Nuk e mendoj se profesioni, të cilin e zgjedhin për veten e tyre, do të jetë i lumtur me ta! Nëse feja është lehtësim, ata janë vështirësim dhe nëse ajo është përgëzim, ata janë largim, ndërkohë që njihet në moralin e Pejgamberit (a.s) se, ai ka qenë fytyrëqeshur dhe fytyrëçiltër. Por, këta tipa në tipare i pëlqen dhe në qeniet e tyre janë të egjër.

Gjithë veprimtaria e tyre janë disa dispozita dytësore, i japin përparësi një mendimi dhe e mbysin mendim tjetër. Sikur të ishin treguar të sinqertë në nijetet e tyre me Allahun, do të kishin gjetur një mijë rrugë për t’i shërbyer Islamit, larg këtij debati të zjarrtë.

Mbaj mend se, një ditë u pyeta për një person, që e zë imamin në ruku të rekatit të parë dhe e plotëson rukunë me të, pastaj sigurisht e plotëson tërë namazin, a duhet të shtojë gjë ky person?

Iu përgjigja, pa u vonuar: Jo!

Një njeri me zë të fortë tha: Po, duhet të plotësojë rekatin e parë! E shikova, e ai ishte bërë gati të zhytej në betejë trupore dhe i thashë, duke e anashkaluar komplet çështjen: Ajo që thashë, është mendimi më i pëlqyer, e nëse dëshiron diçka tjetër, veç këtij mendimi, atëherë je i lirë!! E pashë, që kishte dëshirë të konfliktohej, të merrte dhe të jepte, kështu që u largove prej aty…

Këta nuk janë as dijetarë (fukaha) e as thirrës dhe feja jonë është shumë e nevojshme për moralin e mirë, horizontin e gjerë dhe maturinë në çështje të fushës së lehtësisë dhe edukatës.

Armiqtë e Islamit kanë shpërthyer atomin dhe zotërojnë armë të tjera, që nuk i dimë dhe neve nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të përsosim idetë, të nxisin mirësinë, ta shpalosim të vërtetën në mënyrat më fisnike dhe kjo është ajo, të cilën e kemi mësuar prej fesë tonë.

Ka edhe diçka tjetër. Jo çdo gjë, që ka kaluar prej historisë sonë, është e vlefshme për t’iu rikthyer dhe të qetësohemi me të. Në historinë tonë të gjatë ka ngërçe të frikshme të përngjashme me ditët tona, të cilat po i jetojmë!

Periudha, në të cilën Bagdadi ra nën kthetrat e tatarëve, apo Kudsi ra nën prangat e kryqëzatave, nuk janë pozita të shembullit të mirë. Ato janë periudha, që gjykohen dhe jo të merren si shembuj. Shembulli merret prej shekujve më të mirë dhe prej njerëzve më të mëdhenj, pasues të të zotit të Mesazhit madhështor. Kam parë njerëz, që ngatërrojnë ditët e ëmbla me ditët e hidhura të historisë sonë dhe thërrasin për t’iu kthyer së kaluarës dhe kaq!

Përpara nesh janë Libri (Kur’ani) e Suneti dhe imazhi i Islamit në to është i qartë, prandaj puna më e mirë me këto të dyja është të gjemë mirëkuptimin dhe dashurinë, përndryshe i kemi braktisur dhe dështimet, të cilat myslimanët i kanë kaluar gjatë historisë, së afërt dhe të largët, duhet t’i studiojmë shkaqet e tyre dhe t’i vendosim në mikroskop për të zbuluar edhe mikrobet më të vogla e të marrim masat mbrojtëse ndaj tyre dhe kështu ndërtojmë një të ardhme më fisnike.

Kam parë disa njerëz, që konsiderojnë “selef salih” (brez të mirë të mëparshëm), gjyshërit e tyre të afërt dhe mendojnë se biografia e tyre në fe dhe dynja, ajo është shembulli më i lartë. Jo! Brezat tanë të mirë (selefuna salih) janë ata ndërtuesit e shtetit islam, qytetërimit dhe kulturës së tij të lartë; janë ata, rrënuesit e së kotës, duke e detyruar atë të gjejë vrimë për tu futur nga lindja në perëndim!

_______________________

Shejkh Muhamed El-Gazali, nga libri: E Vërteta e Hidhur, 4, f. 193

Nga: Hoxhë Lavdrim Hamja