Ballina Artikuj Nuk ka rëndësi vetëm çfarë bën, por edhe çfarë lë pas

Nuk ka rëndësi vetëm çfarë bën, por edhe çfarë lë pas

Hoxhë Korab Hajraj

Thotë Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë:
Ne, me të vërtetë, i ringjallim të vdekurit dhe shënojmë atë që kanë vepruar dhe gjurmët e tyre, dhe çdo gjë e kemi përfshirë në një libër të qartë.
Jasin 12.
Ky ajet fillimisht na vendos përballë një realiteti të padiskutueshëm: ringjallja është e vërtetë dhe jeta nuk përfundon me vdekjen. Njeriu do të rikthehet përpara Allahut për të dhënë llogari.
Më pas, Allahu na tregon se çdo vepër që kemi bërë është e regjistruar me saktësi të plotë. Asgjë nuk humbet – çdo e mirë dhe çdo e keqe është e shënuar dhe do të gjendet tek Ai.
Por ajo që e bën këtë ajet edhe më të thellë është përmendja e “gjurmëve”. Kjo nënkupton se llogaria jonë nuk kufizohet vetëm në veprat që kemi bërë drejtpërdrejt, por përfshin edhe ndikimin që ato lënë në jetën e të tjerëve pas nesh.
Këtë kuptim e sqaron edhe hadithi i Muhamedi:
Kush fillon në Islam një praktikë të mirë, ai ka shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre që veprojnë me të pas tij, pa iu pakësuar atyre asgjë. Ndërsa kush fillon një praktikë të keqe, mbi të bie mëkati i saj dhe mëkati i atyre që veprojnë me të pas tij, pa iu pakësuar atyre asgjë.
Transmeton Muslimi.
Prandaj, çështja nuk përfundon vetëm te ajo që ne bëjmë vetë. Ajo shtrihet edhe te ajo që lëmë pas: një rrugë e mirë që vazhdon të ndiqet, apo një rrugë e keqe që vazhdon të përhapet.
Kjo na bën të vetëdijshëm se çdo fjalë, çdo veprim dhe çdo shembull që japim mund të jetojë edhe pas nesh. Dhe pikërisht këto janë “gjurmët” për të cilat do të shpërblehemi ose do të dënohemi.

Hoxhë Korab Hajraj