O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë

Ebu Abdurrahman Abdullah ibën Mes’udi thotë: “Sikur unë po shikoj të Dërguarin e Allahut që po tregonte për njërin prej të Dërguarve të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për ta), të cilin populli i tij e goditi derisa e gjakosi. Ndërkohë që ai po fshinte gjakun nga fytyra, lutej duke thënë: O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë.”[1]

Jetëshkrimi i transmetuesit të hadithit:

Abdullah ibn Mes’udi është një prej sahabëve mjaft të njohur, një prej dijetarëve të umetit mysliman. Ai njihej me epitetin Ebu Abdurrahman. Ai ka transmetuar 848 hadithe të Profetit (a.s).

Abdullah ibn Mes’udi është një prej të parëve, që e kanë përqafuar fenë islame. Ai e ka pranuar fenë islame në të njëjtën kohë kur e pranuan Seid ibën Zejd dhe bashkëshortja e tij Fatimja.

Profeti (a.s) e mbante atë shumë pranë; ai e ndihmonte Profetin (a.s) të vishte sandalet, ai e mbulonte Profetin (a.s.) kur lahej, ai e zgjonte Profetin (a.s.) nga gjumi, e kështu me rradhë. Ai ishte prej sahabëve, të cilët e lexonin më së shumti Kuranin, për arsye se ai gjithmonë shoqërohej me Profetin (a.s). Njëherë Profeti (a.s) pati thënë: “Merreni Kuranin nga katër persona: Abdullah ibn Mes’udi, Selim meula Ebu Hudhejfe, Ubej ibn Ka’b dhe Muadh ibn Xhebel.”[2] Ndërsa njëherë tjetër i Dërguari i Allahut (a.s) pati thënë: “Kush dëshiron që ta lexojë Kuranin ashtu siç ka zbritur, atëherë le ta lexojë si leximi i Ibën Ummu Abdit.”[3] Njëherë Profeti (a.s) i tha atij: “Më lexo Kuran!” “Të të lexoj Kuran ty, ndërkohë që Ai të është shpallur ty?!” – pyeti ai i habitur. “Unë dëshiroj që ta dëgjoj Atë nga të tjerët.”[4] Ai ishte një prej njohësve të mirë të Kuranit dhe fesë së Allahut të Lartësuar.

Abdullah ibn Mes’udi emigroi dy herë, është falur në xhaminë me dy kible, ka marrë pjesë në betejën e Bedrit, Uhudit, Hendekut dhe në të gjitha betejat e tjera së bashku me Profetin (a.s) dhe sahabët e tjerë. Ishte ai, i cili i dha goditjen përfundimtare Ebu Xhehlit, të cilin e gjeti të shtrirë përtokë. Pas vdekjes së Profetit (a.s.) mori pjesë në betejën e Jermukut. Omeri (r.a) e dërgoi në Kufe që t’u mësonte njerëzve fenë. Në periudhën e Othmanit pasi qëndroi disa kohë si guvernator i Kufes, Othmani e urdhëroi më pas që të kthehej në Medine.

Thuhet se ai ka qenë i dobët fizikisht. Transmetohet se Profeti (a.s) njëherë e urdhëroi Ibn Mes’udin që të hipte mbi një pemë, që t’i jepte disa prej fryteve të saj. Kur shokët panë këmbët e holla të Abdullah ibn Mes’udit, filluan të qeshnin, mirëpo Profeti (a.s.) tha: “Përse qeshni? Në Ditën e Gjykimit, këmba e Abdullahut është më e rëndë në peshojë se mali i Uhudit.”[5] Nga ky hadith kuptohet, që ka qenë me trup të dobët, siç ka qenë i shkurtër dhe shumë ezmer. Sa herë që dilte nga shtëpia, parfumosej aq shumë, saqë të gjithë njerëzit e kuptonin se ai ishte Abdullahu.

Ka vdekur në vitin 32 të hixhretit në qytetin e Medines, mbi moshën 63 vjeç. Është varrosur në Beki. Është varrosur natën, sepse vetë ai e la si porosi që të varrosej natën. Namazin e xhenazes ia fali Zubejri, të cilin Othmani e qortoi se përse ai nuk e kishte lajmëruar për vdekjen e tij.

Allahu e mëshiroftë Abdullah ibn Mes’udin.

Shpjegimi i hadithit:

Ky hadith profetik flet rreth asaj që u ka ndodhur të Dërguarve të Allahut. Të Dërguarit e Allahut janë ata njerëz, të cilët Allahu i Lartësuar i ka obliguar për t’u komunikuar njerëzve mesazhin hyjnor. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu e di më mirë se kujt ia jep mesazhin e Tij.”[6] Ata e meritojnë të jenë të Dërguar të Allahut, sepse ata e mbartën mbi supe mesazhin hyjnor, ia komunikuan njerëzve atë, duke urdhëruar për mirë dhe ndaluar nga e keqja dhe të gjithë këtë e bënë në sajë të durimit të tyre. Mirëpo, të Dërguarit e Allahut janë lënduar me fjalë, fizikisht, madje në disa raste popujt ku ata janë dërguar, kanë tentuar që edhe t’i vrasin. Këtë fakt e tregon Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë, ku thotë: “Edhe para teje (o Muhamed!), shumë të dërguar janë mohuar, por ata e kanë duruar mohimin dhe lëndimin (që kanë pësuar), derisa u ka ardhur ndihma Jonë, sepse askush nuk mund t’i ndryshojë vendimet e Allahut. Ti tashmë ke dëgjuar për ata të Dërguar. Nëse ty të duket e rëndë për t’u mbajtur përbuzja e tyre, atëherë kërko – nëse mundesh- një zgavër në Tokë ose shkallë në qiell, që t’u sjellësh atyre në mrekulli! Sikur Allahu të donte, do t’i kishte mbledhur ata në rrugë të mbarë, prandaj mos u bëj nga ata që nuk e dinë këtë![7]

Profeti (a.s.) tregon për një prej të Dërguarve të Allahut, të cilin populli i tij e goditi. Kuptohet që ata e goditën atë, pasi më parë e përgënjeshtruan. Ata e goditën atë aq shumë, derisa i nxorën gjak nga fytyra. E ai duke fshirë gjakun nga fytyra, u lut duke thënë: “O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë.” Fjalët e tij dëshmojnë për durimin e lartë të tij, sepse zakonisht, nëse njeriu goditet, do të turfullojë nga nervat dhe me çdo kusht dëshiron që të hakmerret ndaj atij që e ka goditur. Ndërkohë që i Dërguari i Allahut që përmendet në këtë hadith i fton njerëzit që të besojnë tek Allahu, duke mos kërkuar shpërblim për këtë punë, mirëpo populli i tij e godet, derisa i nxjerr gjak nga fytyra, ndërsa ai i lutet Allahut të Lartësuar që t’i falë, ngaqë ata nuk dinë gjë.

Profeti (a.s) nuk na e ka treguar kot këtë ngjarje, pa pasur ndonjë qëllim, apo për të kaluar kohën, por përkundrazi na e ka treguar që të marrim mësim e të ecim pas gjurmëve të saj. Allahu i Lartësuar thotë: “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend”[8] Mësimi që nxjerrim nga kjo ngjarje, ka të bëjë me durimin tonë, nëse lëndohemi nga njerëzit, qoftë me fjalë apo fizikisht.

Ajo ç’ka ne duhet të bëjmë është: që gjatë komunikimit të mesazhit hyjnor të bëjmë durim nga fjalët e këqija që drejtohen në adresën tonë. Madje, këtë duhet ta shohim në sensin pozitiv, sepse ne ngritemi në gradë më të larta dhe na shlyen mëkatet. Ndoshta gjatë komunikimit të mesazhit hyjnor drejtuar njerëzve, kemi patur mangësi, sepse nijeti nuk mund të jetë 100% i pastër, ose metoda që kemi përdorur nuk ka qenë efikase, atëherë lëndimi që na adresohet është shkak për shlyerjen e mangësive tona. Kjo është krejt normale, sepse njeriu sado që të përpiqet, nuk mund ta përsosë kurrë punën e tij, sepse ai është nuksan (i mangët). Kështu që nëse njeriu lëndohet për shkak të komunikimit të mesazhit hyjnor drejtuar njerëzve, duhet të kuptojë se kjo është pjesë plotësuese e ftesës së tij dhe ai rritet në gradë. Prandaj ai duhet të bëjë durim dhe të kërkojë shpërblim tek Allahu. Absolutisht, nuk duhet që t’ia kthejë shpinën ftesës, apo të thotë: “Nuk e kam për detyrë.. jam lënduar..jam lodhur, etj”. Përkundrazi detyra e tij është që të bëjë durim, sepse kjo botë nuk është e gjatë. Ajo do të zgjasë vetëm pak ditë të cilat do të kalojnë. Prandaj duhet të bëjë durim derisa të vijë Urdhri i Allahut.[9]

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Tregimi i historive dhe ngjarjeve.

2 – Ligji i Allahut në lidhje me të Dërguarit me armiqtë e tyre.

3 – Durimi ndaj lëndimeve për shkak të përcjelljes së mesazhit hyjnor.

4 – Butësia dhe keqardhja e thirrësit për njerëzit.

1 – Tregimi i historive dhe ngjarjeve:

Tregimi i historive dhe ngjarjeve është një prej metodave efikase të ftesës. Ngjarjet dhe historitë mbartin shumë domethënie, të cilat i bëjnë dobi atij që i dëgjon ato. Ky hadith profetik flet qartë për durimin e të Dërguarve të Allahut, të cilët dhanë maksimumin e tyre për të përhapër fenë e Allahut tek popujt e tyre. Abdullah ibn Mes’ud thotë: “Sikur unë po shikoj të Dërguarin e Allahut që po tregonte për njërin prej të Dërguarve të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për ta), të cilin populli i tij e goditi derisa e gjakosi..” Ky tregim është një shembull praktik, që na tregon për durimin e një prej të Dërguarve të Allahut, i cili dëshironte me çdo kusht që të rrënjoste tek populli i tij parimet e besimit tek Allahu i Lartësuar. Durimi dhe rezistenca e tij që tregohet në këtë hadith, është mësimi më i mirë për të gjithë ata thirrës, të cilët kanë mbartur mbi supet e tyre komunikimin e mesazhit hyjnor tek njerëzit.

2 – Ligji i Allahut në lidhje me të Dërguarit me armiqtë e tyre:

Duke ndjekur me kujdes historinë e të Dërguarve të Allahut me armiqtë e tyre, të cilët i kanë përgënjeshtruar, vërejmë se Allahu ka vendosur disa ligje të pandryshueshme, si p.sh:

Ligji i sprovës:

Allahu i Lartësuar i sprovon të Dërguarit e Tij me forma nga më të ndryshmet. Është e vërtetë, se ky ligj zbatohet tek të gjithë njerëzit, por ai është më i zbatueshëm tek besimtarët dhe akoma më tepër tek të Dërguarit e Allahut. Këtë fakt e dëshmon Profeti (a.s) në një hadith, ku thotë: “Sprovën më të rëndë e kanë të Dërguarit, pastaj sipas rradhës kush është më i mirë.”[10] Të Dërguarit e Allahut e kanë pasur sprovën më të rëndë, sepse ata janë modeli dhe shembulli më i mirë për thirrësit, aktivistët e fesë islame dhe për të gjithë pasuesit e rrugës së tyre. Mund të ndodhë që të Dërguarit e Allahut dhe popujt e tyre mund të sprovohen në të njëjtën kohë. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet mendoni të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij thanë: Kur do të arrijë ndihma e Allahut?! Ja, ndihma e Allahut është afër!”[11]

Kështu që, njerëzit që lëndohen më shumë, janë të Dërguarit e Allahut. Ata janë ofenduar, janë përgënjeshtruar, janë përqeshur, janë goditur, janë burgosur, madje edhe janë vrarë, ashtu siç kanë bërë Benu Israilët me të Dërguarit e tyre, që i kanë vrarë ata me pa të drejtë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne i mallkuam ata për shkak të shkeljes së beslidhjes nga ana e tyre, për shkak të mohimit që i bënë shpalljeve të Allahut, për shkak të vrasjes së profetëve pa kurrfarë të drejte dhe për thënien e tyre: Zemrat tona janë të mbyllura në këllëf.”[12]

Shkaku i përgënjeshtrimit të popujve ndaj të Dërguarve është, se ata i ftojnë popujt e tyre që të braktisin adhurimin e idhujve dhe në vend të tyre të adhurojnë vetëm Allahun e Lartësuar.

Ligji i armiqësisë ndaj të Dërguarve:

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe, kështu Ne, çdo profeti i kemi kundërvënë një armik nga keqbërësit. Por ty të mjafton Zoti yt si udhërrëfyes dhe ndihmës.”[13] Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Kështu, çdo profeti Ne i kemi caktuar armiq djajtë nga njerëzit dhe xhindët, të cilët e frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë boshe të zbukuruara për mashtrim.”[14]

Sejjid Kutub thotë: “Allahu ka urtësi të madhe. Shfaqja e armiqësisë së hapur të keqbërësve ndaj të Dërguarve dhe mesazhit, në të vërtetë, e forcon organikën e tij dhe i dhuron seriozitetin e duhur që përshtatet me natyrën e tij. Përballja e mbartësve të mesazhit me keqbërësit, pavarësisht vështirësive që hasin, bën dallimin ndërmjet mesazhit të vërtetë dhe atij të shtrembëruar. Kjo përballje e shoshit mirë punën e aktivistëve të tij, duke përjashtuar njerëzit fals. Ajo që ngel prej kësaj përballje është vetëm besimtari i vërtetë e i kulluar, i cili nuk kërkon përfitime materiale, por kërkon që çdo gjë ta bëjë vetëm për hir të Allahut të Lartësuar”.[15]

3 – Durimi ndaj lëndimeve për shkak të përcjelljes së mesazhit hyjnor:

Kadi El Ijad thotë: “Hadithi flet për butësinë, durimin dhe keqardhjen që të Dërguarit e Allahut kanë ndjerë për popujt e tyre. Megjithëse ata janë goditur e lënduar prej popujve të tyre, ata i janë lutur Allahut që t’i falë me justifikimin se ata nuk kanë dijeni dhe njohuri për atë ç’ka kanë vepruar me ta”.[16]

Imam El Kurtubi thotë: “Nëse një njeri i mençur mediton tek kjo lutje: “O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë.” arrin të kuptojë mirë domethënien e ajetit kuranor: “Se ti je me virtyte madhore.”[17] Në këtë rast i Dërguari i Allahut nuk lutet kundra tyre, që të hakmerret ndaj tyre. Jo vetëm që lutet për ta, por edhe i justifikon, megjithëse veprimi i tyre nuk ka asnjë lloj justifikimi. Veprimi i tij tregon për mirësinë dhe bujarinë e madhe që askush nuk ta arrijë e as të krahasohet me të”.[18]

Muhamed ibën Alan thotë: “Në këtë gjë që i ndodhi të Dërguarit të Allahut, kemi të bëjmë me disa lloje të durimit dhe disa urtësi: E Para: Ai (a.s) fshiu gjakun nga fytyra që të mos binte në tokë, sepse përndryshe ata do të ndëshkoheshin, E Dyta: Ai e priti me mirësi injorancën e popullit të tij, duke bërë lutje për ta që Allahu t’i falë, kërkoi falje sepse veprimi i tyre ishte një krim i madh, E Treta: U justifikua me faktin se ata vepruan kështu ngaqë nuk dinë”.[19]

Modeli më mirë i durimit ndaj lëndimeve që i janë shkaktuar nga populli i tij, është Profeti Muhamed (a.s.), të cilin Allahu i Lartësuar në shumë ajete kuranore e ka urdhëruar që të bëjë durim. Në një ajet Allahu i Lartësuar thotë: “Këto janë (disa) nga lajmet e fshehta që Ne t’i shpallim ty. Këto nuk i ke ditur as ti, e as populli yt, para kësaj (shpalljes së Kuranit). Andaj duro! Se, me të vërtetë, në fund, fitorja është e besimtarëve.”[20] Përpara këtij ajeti, Allahu i tregon Profetit (a.s) për atë ç’ka i ngjau Profetit Nuh (a.s) me popullin e tij. Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin (a.s), që të bëjë durim me popullin e tij, ashtu siç duroi edhe Nuhu (a.s) me popullin e tij. Sepse, me të vërtetë, në fund, fitorja është me besimtarët. Nuhu (a.s) bëri durim dhe në fund Allahu e shpëtoi atë dhe besimtarët nga tufani, po ashtu edhe ti o Muhamed nëse bën durim, Allahu ka për të të shpëtuar ty dhe atë besimtarë që janë bashkë me ty.

4 – Butësia dhe keqardhja e thirrësit për njerëzit:

Morali më i mirë, me të cilin mund të përshkruhet thirrësi në rrugë të Allahut, është butësia dhe keqardhja që ai ndjen për njerëzit. Nëpërmjet këtij hadithi, Profet (a.s.) na ofron një shembull të gjallë të Profetit, të cilin populli e gjakosi dhe ai iu lut Allahut me fjalët: “O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë”. Lutja e këtij Profeti tregon qartë për zemërgjerësinë e tij. I tillë duhet të jetë edhe thirrësi në rrugë të Allahut, i cili ndjek gjurmët e të Dërguarve të Allahut. Ai nuk duhet të zemërohet e as të hakmerret për veten e tij, përkundrazi ai duhet të jetë tolerant e i butë, sepse feja Islame është feja e tolerancës dhe butësisë.

Butësia dhe toleranca ka qenë një prej virtyteve kryesore, me të cilën karakterizohej thirrja e të gjithë të Dërguarve të Allahut. Profeti Nuh (a.s) e thirri popullin e tij 950 vjet. Përgjatë gjithë këtyre viteve durimi, butësia dhe toleranca e tij me popullin ka qenë në maksimumin e mundshëm. Po kështu kanë qenë Ibrahimi, Musai, Isai e të gjithë të tjerët (Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të gjithë ata). Allahu i Lartësuar i dërgoi Musain (a.s) dhe Harunin (a.s) tek Faraoni, që ta thirrnin atë në rrugë të drejtë. Thirrja e tyre duhet të ishte me fjalë të buta, Allahu i Lartësuar thotë: “Shkoni te Faraoni! Ai me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet.”[21] Fjalë të buta do të thotë jo fjalë të ashpra. Duke qenë se Allahu i Lartësuar e urdhëroi Musain (a.s) që ta thërriste Faraonin me fjalë të buta, cilido thirrës tjetër e ka për detyrë që të praktikojë të njëjtën metodë në thirrje, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Do t’u thoni fjalë të mira njerëzve.”[22]

Edhe thirrja e Profetit Muhamed (a.s) karakterizohej me fjalë të buta e jo të ashpra. Pikërisht, butësia dhe toleranca e Profetit (a.s) ishin çelësi i suksesit të thirrjes së tij. Njëherë një arab hyri në xhami dhe urinoi brenda. Shokët e Profetit (a.s.) u çuan që ta godisnin, ndërkohë që Profeti (a.s) i ndaloi dhe u tha: “Jeni dërguar për të lehtësuar e jo për të vështirësuar.”[23] Njëherë tjetër një djalosh i ri erdhi tek Profeti (a.s) dhe i tha: “A më lejon që të kryej imoralitet”? Të pranishmit u irituan. Por Profeti (a.s.) u afrua dhe e pyeti: “A lejon ti, që njerëzit të kryejnë imoralitet me nënën, bijën, motrën, hallat dhe tezet e tua”? Ai tha: “Jo”. Profeti (a.s) ia ktheu: “Po kështu edhe njerëzit nuk kanë dëshirë që ti të kryesh imoralitet me të afërmit e tyre”. Pastaj Profeti (a.s) bëri lutje për të dhe qysh pas kësaj, djaloshi nuk kishte më dëshirë për të kryer imoralitet.[24] Njëherë tjetër, Profeti (a.s.) i thotë Aishes: “Me të vërtetë, Allahu është i butë dhe e do butësinë. Me butësinë jep atë që nuk e jep ashpërsia dhe asgjë tjetër përveç saj.”[25]

Zbatimi i këtij hadithi në realitetin tonë:

Thirrësit në rrugë të Allahut e kanë për detyrë që të përcjellin mesazhin hyjnor tek njerëzit. Duke vepruar kështu, ata kyejnë një detyrë mjaft të rëndësishme, por dhe tepër fisnike, sepse ajo është detyra e të Dërguarve të Allahut. Rruga që ata duhet të përshkojnë, nuk është e shtruar me lule, përkundrazi, gjatë thirrjes së tyre ata do të hasin në shumë pengesa. Një prej pengesave është edhe lëndimi që mund të shkaktohet në adresë të tyre. Në të vërtetë, lëndimi që mund t’u shkaktohet është evident, sepse ky është ligji i universit që Allahu e ka vendosur.

Megjithatë, duke hulumtuar në gjendjen e popullit tonë, vërejmë se lëndimet që mund t’i shkaktohen thirrësve, janë të pakta, ndërsa rastet ekstreme ku ata mund të jenë goditur, janë pothuajse inekzistente. Arsyet përse nuk ka lëndime, sipas këndvështrimit tim janë dy:

Arsyeja e Parë: Sepse në përgjithësi, populli ynë është dashamirës i fesë Islame. Ky është një element mjaft i rëndësishëm në përçimin e mesazhit hyjnor. Prandaj është detyrë e thirrësit, që këtë element ta shfrytëzojë në favor të ftesës Islame.

Arsyeja e Dytë: Ndoshta, ngaqë veprimtaria e thirrësve është e mangët dhe jo e plotë. Ndoshta, ngaqë ata nuk kanë kontakte të vazhdueshme me njerëzit. Ndoshta, ngaqë thirrja është e zbehtë, e vakët dhe e plogësht. Duke qenë e tillë, rrjedhimisht, nuk do të ketë as fërkime dhe as lëndime. Për të bërë një tablo më të qartë të këtij arsyetimi, mjafton të bëjmë një krahasim ndërmjet thirrjes që Nuhu (a.s) i ka bërë popullit të tij dhe thirrjes tonë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai tha: O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë, por thirrja ime edhe më tepër i largoi nga e vërteta. Sa herë, që i thirrja për t’i falur Ti, ata shtinin gishtërinjtë në veshë dhe mbuloheshin me petkat e tyre, duke këmbëngulur me mëndjemadhësi në mosbesim. Pastaj i thirra me zë të lartë. Më pas ua shpalla edhe botërisht, edhe fshehurazi.”[26] Jo vetëm Profeti Nuh (a.s), por edhe të gjithë profetët e tjerë nuk kanë lanë asnjë mundësi pa e shfrytëzuar, madje edhe kanë sakrifikuar shumë. Është e vërtetë që edhe ne në ditët e sotme, i kemi thirrur njerëzit dhe do të vazhdojmë t’i thërrasim ata që të besojnë tek feja e Allahut, por duhet që t’i shtrojmë vetes një pyetje: A kemi shfrytëzuar ne në thirrjen tonë çdo mundësi që na është dhënë dhe përveç kësaj a kemi sakrifikuar deri në maksimumin tonë? Disa dijetarë kanë thënë: “Nëse ne nuk lëndohemi siç janë lënduar të parët tanë, atëherë duhet të shikojmë se në thirrjen tonë ka mangësi”. Kjo si shprehje qëndron dhe ka arsye mëse të mjaftueshme që të jetë e pranueshme, por unë mendoj se jo domosdoshmërisht thirrësit duhet të lëndohen. Apeli që unë në rradhë të parë ia drejtoj vetes dhe pastaj thirrësve të tjerë është: Shfrytëzimi i çdo hapësire dhe sakrifica brenda kufinjve të njerëzores janë dy faktorët themelorë të efikasitetit të thirrjes pas suksesit që jep Allahu i Lartësuar.

Gjithsesi, ashtu siç e kam cekur edhe më lart, jo se nuk ka patur lëndime, por ato kanë qenë të pakta në krahasim me atë ç’ka u kanë ndodhur të Dërguarve të Allahut. Ka patur raste kur jemi përgenjështruar, ka patur raste kur u kemi folur njerëzve për fenë e Allahut e ata janë bezdisur prej nesh, ka patur raste kur qëllimisht njerëzit nuk na kanë dëgjuar, ka patur raste kur na kanë kundërshtuar me forcë, ka patur raste kur janë munduar të na venë në lojë, ka patur raste që na kanë ofenduar me fjalë, ka patur raste kur na kanë vënë epitete, ka patur raste kur na kanë akuzuar me të padrejtë, ka patur raste kur mllefin dhe urrjejten që kanë për fenë e Allahut e kanë deklaruar haptazi, ka patur raste kur na kanë penguar që të kryejmë ritet fetare, apo që edhe të kryjemë misionin e thirrjes, tek – tuk mund edhe të na kenë kërcënuar dhe shumë rrallë edhe mund të kenë goditur ndonjërin prej nesh. Cili ka qenë reagimi ynë ndaj këtyre rasteve: nuk ka dyshim se jemi mërzitur, ngadonjëherë edhe jemi irrituar dhe ka patur raste, kur edhe mund të jemi shfryrë ndaj tyre, duke thënë se kështu e kanë qafirat. Mërzia është mëse normale, sepse edhe i Dërguari i Allahut (a.s) dëshpërohej, kur arabët e përgënjeshtronin Kuranin. Allahu i Lartësuar thotë: “A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kuranin)?” Irritimi duke ngritur zërin dhe ngadonjëherë më tepës se ata që na kundërshtojnë, është një element negativ, që është në disfavorin tonë. Allahu i Lartësuar thotë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë. Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e di më së miri ata që janë në rrugë të drejtë.”[27] Ndërsa përsa i përket fjalës “Ata janë qafira apo banorë të Zjarrit të Xhehenemit” dhe shprehje të ngjashme, mendoj se janë të tepruara, nuk na shkojnë për shtat që t’i përdorim dhe janë shumë larg fjalës së Profetit: “O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë.” Në vend që të shfryhemi me fjalë, le t’i lutemi Allahut të Lartësuar që t’i falë, t’i udhëzojë në rrugë të drejtë. Madje disa dijetarë kanë thënë: “Përse të mos çohemi natën dhe të falim namaz nate për udhëzimin e tyre.” Di një rast konkret, ku një vajzë besimtare i lutej Allahut që babai i saj alkolist të braktiste alkolin e të udhëzohej në rrugë të drejtë. E Allahu iu përgjigj lutjes së saj. Babai i saj jo vetëm që e braktisi alkolin përfundimisht, por edhe fal pesë vaktet në xhami. Kjo është mirësia e Allahut që ia dhuron kujt të dojë. Ai zotëron mirësi të madhe.

Ashtu si shumë shprehje (Bismilah, el hamdulil lah..etj) janë bërë pjesë e fjalorit tonë, atëherë le të shtojmë edhe një shprehje tjetër të bukur “O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë.” Kur ta pasurojmë fjalorin tonë me këtë shprehje, vetëm atëherë kemi për ta ndjerë ëmbëlsinë, kënaqësinë dhe shijen që ajo të dhuron.

Le të imagjinojmë, brenda kufinjve të imagjinatës së lejuar, gjendjen emocionale të Profetit të gjakosur, i cili duke fshirë gjakun nga fytyra i lutet Allahut: “O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë.” Në ato çaste, ai triumfon ndaj egos, triumfon ndaj shejtanit dhe triumfon ndaj të keqes. Ai nuk ka aspak dëshirë që të hakmerret. Dëshira e tij e vetme është që Allahu t’i falë ata njerëz. Ai dëshiron që ata të udhëzohen në rrugë të drejtë. Ai dëshiron që ata të hyjnë në mëshirën e Allahut, dëshiron që ata të ruhen nga ndëshkimi i Zjarrit të Xhehenemit. E ku ka më bukur se kaq?! Ai nuk shqetësohet për gjakun dhe dhimbjet e trupit, ai shqetësohet për të ardhmen e të tjerëve. Prandaj këtu qëndron sekreti, se përse misioni i Profetëve ka qenë fisnik?!

Allahu na bëftë pasues të denjë të rrugës së Profetëve. Amin.

Argumentet dhe dobitë e hadithitt:

1 – Durimi i të Dërguarve të Allahut ndaj lëndimeve që ua sillnin popujt e tyre, për shkak të përhapjes së mesazhit hyjnor.

2 – Pritshmëria e injorancës me falje dhe tolerancë ka qenë virtyt i të Dërguarve të Allahut.

3 – Reagimi ndaj injorantëve nuk duhet të jetë me të njëjtën monedhë, por duke i falur dhe duke e lutur Allahun që t’i udhëzojë në rrugë të drejtë.

4 – Modeli dhe shembulli më i mirë janë të Dërguarit e Allahut.

5 – Injorantët janë të prirur për të mos dëgjuar argumentet. Në vend të kësaj ata i drejtohen metodave çnjerëzore, si: torturave, goditjeve, madje edhe duke vrarë.

6 – Thirrësi nuk duhet të nxitohet që të kërkojë ndëshkimin e injorantëve dhe armiqve të fesë.

Epilog:

Të gjithë të Dërguarit e Allahut janë lënduar nga popujt e tyre me forma nga më të ndryshme. Por të gjithë ata kanë duruar, sepse qëllimi i tyre kryesor ka qenë përhapja e mesazhit hyjnor në mesin e njerëzve. Shembuj të durimit të tyre ka shumë, por në epilogun e këtij hadithi do të mjaftohem me atë ç’ka i ka ndodhur Profetit Muhamed (a.s.) kur shkoi në Taif:

Pas vdekjes së dy njerëzve më të dashur dhe që i kishin qëndruar shumë pranë, vdekjes së xhaxhait Ebu Talibit dhe bashkëshortes së tij Hadixhes, presioni i fiseve arabe u shtua shumë ndaj Profetit (a.s). Prandaj Profeti (a.s) vendosi që të shkonte në Taif, që të kërkonte mbrojtje nga paria e fisit Thekif, me qëllim që të përçonte mesazhin. Për të vajtur në Taif, Profeti (a.s) mori me vete si shoqërues Zejdin (r.a). Me vete nuk mori as deve dhe po ashtu si shoqërues nuk mori as Ebu Bekrin (r.a) dhe as Omerin (r.a). Nuk mori deve, sepse Kurejshët do ta kuptonin që ai po nisej për udhëtim dhe po ashtu nuk mori si shoqërues as Ebu Bekrin (r.a) dhe as Omerin (r.a), sepse duke qenë se ata ishin këshilltarët e tij, atëherë edhe në këtë rast Kurejshët do ta kuptonin përsëri, se ai po nisej për një udhëtim të largët. Duhet të theksojmë, se distanca nga Meka deri në Meke është 100 km dhe terreni është malor. Profeti (a.s) u nis në këmbë dhe kur mbërriti në Taif, u takua me tre udhëheqësit kryesorë të fisit Thekif. Ai (a.s) u foli atyre mbi fenë, me të cilën ishte dërguar si profet. Por secili prej tyre i dha nga një përgjigje me përmbajtje përbuzëse. I pari i tha: “A nuk gjeti Zoti një më të mirë se ti për të dërguar si profet?!” I dyti i tha: “Ose do të jesh profet i vërtetë dhe unë nuk e meritoj të flas me ty, ose do të jesh gënjeshtar dhe ti nuk e meriton të flasësh me mua”. Ndërsa i treti i tha: “Betohem në emër të Zotit, sikur të shoh të kapur pas mbulesës së Qabes, duke u betuar që je profet, nuk do të të besoja”. Duke parë se ata e refuzuan ftesën e tij, Profeti (a.s) u tha: “Nëse e refuzoni Islamin dhe refuzoni të më mbroni, të paktën mos i lajmëroni Kurejshët, që unë erdha dhe kërkova ndihmë prej jush”. Por që të tre thanë njëzëri: “Vallahi, ne do t’i lajmërojmë ata”. Profeti (a.s.) u tha: “Atëherë më lini që të largohem, por ata u betuan, duke thënë: “Nuk do të lejojmë që të largohesh, derisa të të rrahim me gurë, që ti mos të kthehesh më”. Kështu që ata urdhëruan burrat dhe fëmijët e Taifit që të mblidheshin, i vendosën në dy rreshta dhe u thanë që kur të kalojë mes tyre Muhamedi, ta godisnin me gurë dhe ç’të mundnin.

Të rreshtuar në dy rreshta, me të dalë Profeti (a.s), banorët e Taifit filluan ta godasin me gurë. Zejdi (r.a) mundohej nga pas që ta mbrojë Profetin (a.s) nga gurët dhe sendet e forta. Këmbët e Profetit (a.s) u gjakosën nga goditjet e gurëve.

Duke vrapuar që t’ju shpëtojë goditjeve, pasi dalin nga qyteti gjejnë një kopsht dhe hyjnë brenda që të pushojnë. Me të hyrë në kopsht, Profeti (a.s) nuk u ul që të mjekojë plagët që i rridhnin, por ngriti duart drejt qiellit dhe u lut: “O Zot unë ankohem te Ti për fuqinë time të dobët, për mundësitë e pakta që kam dhe pamundësinë time për njerëzit. Ti je Zoti i botëve, Ti je Zoti i të dobtëve, Ti je Zoti im. Në dorë të kujt më le o Zot? Në dorë të një të largëti të ngrysur apo në dorë të një të afërti, të cilit ia ke lënë në dorë çështjen time. Nëse nuk je i zemëruar me mua, nuk pyes për gjë tjetër. Kërkoj mbrojtje nga drita Jote, e cila ka ndriçuar errësirat dhe që me të është rregulluar çështja e kësaj bote dhe botës tjetër, që të mos bjerë mbi mua zemërimi Yt dhe pakënaqësia Jote. Te ti pendohem derisa të kënaqesh dhe nuk ka forcë përveç forcës Tënde.”

Më vonë, pasi Profeti (a.s.) do të rehatohej tek kopështi, dhe nuk kishte se nga të shkonte, zbret Xhibrili (a.s) bashkë me ëngjëllin e maleve. Xhibrili (a.s) i tha: “O Muhamed, Zoti i dëgjoi fjalët e popullit për ty dhe fjalët e tua për ta. Ai ka dërguar me mua ëngjëllin e maleve, që ta urdhërosh që të bëjë çfarë të duash”. Ëngjëlli i maleve i tha: “O Muhamed, nëse dëshiron, tani i bashkoj këto dy male dhe i shkatërroj ata njerëz“. Por Profeti (a.s) i tha: “Jo, pasi shpresoj që Zoti të nxjerrë nga pasardhësit e tyre, njerëz që do të adhurojnë Zotin”.

Nuk është vendi i duhur për të bërë analizën e lutjes dhe përgjigjes që Profeti (a.s) i dha ëngjëllit të maleve, por ndërmjet Profetit që iu lut Allahut “O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë.” dhe Profetit Muhamed (a.s.) që iu përgjigj ëngjëllit të maleve: “Jo, pasi shpresoj që Zoti të nxjerrë nga pasardhësit e tyre, njerëz që do të adhurojnë Zotin”, ka shumë ngjashmëri.

[1] Transmeton imam Buhariu, nr: 3477 dhe imam Muslimi, nr: 1792.

[2] Transmeton imam Buhariu, nr: 3760.

[3] Transmeton imam Ahmedi, nr: 9754. Hadithi është Sahih li gajrihi.

[4] Transmeton imam Buhariu, nr: 5049.

[5] Transmeton imam Ahmedi, nr: 920. Hadithi është Sahih li gajrihi.

[6] Sure El En’amë: 124.

[7] Sure El En’amë: 34-35.

[8] Sure Jusuf: 111.

[9] Marrë nga libri “Shpjegimi i Rijadus Salihin” të Muhamed ibën Uthejminit, fq: 1/240-242.

[10] Transmeton Ibnu Maxheh, nr: 4023. Hadithi është Hasen Sahih.

[11] Sure El Bekare: 214.

[12] Sure En Nisa: 155.

[13] Sure El Furkan: 31.

[14] Sure El En’am: 112.

[15] Marrë nga libri i tefsirit “Fi Dhilalil Kuran” të Sejjid Kutubit, fq: 3283 nën verifikimin e studjuesit të Kuranit dhe Sunetit doktor Ali ibën Najif Esh Shehud

[16] Marrë nga libri “Ikmalul Mualim bi feuadi muslim” i Kadi Ijadit, fq: 4/164.

[17] Sure El Kalem: 4.

[18] Marrë nga libri “El Mufhim lima eshkele min telhisi kitab Muslim” i imam Kurtubijut, fq: 6/213.

[19] Marrë nga libri “Delilul Falihin” i Muhamed ibën Alanit, fq: 1/207.

[20] Sure Hud: 49.

[21] Sure Taha: 43-44.

[22] Sure El Bekare: 83.

[23] Transmeton imam Buhariu, nr:220.

[24] Kjo ndodhi gjendet më e detajuar në musnedin e imam Ahmedit, nr: 22211. Hadithi është i saktë.

[25] Transmeton imam Muslimi, nr: 2592.

[26] Sure Nuh: 5-9.

[27] Sure En Nahl: 125.

Perktheu: Elton Harxhi /ao