Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për një kolaps të afërt të sistemit shëndetësor në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli vazhdon të bllokojë furnizimin me karburant dhe ndihma jetike.
Zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric, deklaroi në një konferencë për shtyp se “partnerët tanë humanitarë raportojnë se aksesin në kujdesin shëndetësor thelbësor e kanë gjithnjë e më pak njerëzit në të gjithë Gazën, veçanërisht grupet më të cenueshme.”
Ai shtoi se mbi 150,000 gra janë në rrezik për komplikacione serioze shëndetësore për shkak të mungesës së trajtimit.
Situata e karburantit po përkeqësohet me shpejtësi, me rezervat e benzinës pothuajse të epuara dhe ato të naftës në nivel kritik, paralajmëroi Dujarric.
Ai bëri të ditur se përpjekjet për të marrë karburant nga zonat e bllokuara shpesh dështojnë për shkak të urdhrave për evakuim ose ndalimeve në zona ku lëvizja humanitare duhet të koordinohet me autoritetet izraelite.
“Vetëm sot, autoritetet izraelite refuzuan përpjekjen e agjencive të OKB-së për të tërhequr karburant nga Rafahu,” tha ai. “Në total, sot kemi planifikuar pesë lëvizje të koordinuara me partnerët tanë humanitarë, por katër prej tyre u refuzuan. E vetmja lëvizje e lejuar kishte të bënte me rotacionin e stafit, jo me shpërndarje ndihmash.”
Apeli i OKB-së nënvizon urgjencën për një korridor humanitar të garantuar dhe një ndalim të menjëhershëm të pengesave që rrezikojnë jetën e civilëve në Gaza.






