Osmani merr ftesë për ta vizituar Izraelin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e saj nga Izraeli, Isaac Herzog, me ç’rast kanë biseduar për raportet bilaterale në mes të dy shteteve dhe mundësinë e thellimit të tyre.

Osmani dhe Herzog diskutuan ndër të tjerash edhe për potencialin e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, trashëgimisë kulturore dhe inovacionit, ndërsa vlerësuan lartë partneritetin në rritje në mes të dy vendeve.

Gjithashtu, presidentes Osmani i është bërë ftesë për ta vizituar Izraelin.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit diplomatik, për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Presidenti Herzog e falënderoi përzemërsisht Presidenten Osmani për mbështetjen e Kosovës ndaj Izraelit, dhe e ftoi Presidenten Osmani për vizitë zyrtare në Izrael. Ai poashtu shfrytëzoi rastin që t’ia urojë muajin e Ramazanit besimtarëve myslimanë, festën e Pashkëve besimtarëve të krishterë, si dhe festën e “Passover”, besimtarëve hebre”, bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës.

Po ashtu theksohet se presidentja Osmani ka dërguar urimet më të mira për gjithë popullin e shtetit të Izraelit.