Pacolli paralajmëron njohje të rëndësishme për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se sivjet Kosova do të marrë njohje “kualitative”.

Ai ka përmendur edhe pesëshen e shteteve evropiane që s’e kanë njohur akoma Kosovën.

“Jemi duke punuar me shumë shtete të rëndësishme. Po punojmë. Nuk guxoj të përmend emra, sepse pas një minute që ta them është e regjistruar në Beograd e njerëzit do t’i kanë atje pas vetëm një dite”, ka thënë ai në Rubikon të KTV’së.

“Shtete shumë kualitative, njohje kualitative. Ato luajnë rol në diplomacinë të Evropës”, ka theksuar Pacolli.

“Janë prezente në organizata të ndryshme. Mundemi me fol edhe për ndonjë shtet të pesëshes, por janë shtete me ndikim të madh”, ka shtuar ai.

Pacolli ka folur edhe për fushatën e Serbisë kundër Kosovës.

Ai ka thënë se Serbia po humb kohë, para dhe fytyrë me tentimin që të bindë shtete të ndryshme të tërheqin njohjen e Kosovës.

Sipas tij, asnjë njohje nuk është tërhequr falë ndikimit të Serbisë. Ka thënë se vetëm njohja nga Suriname është pezull.

Pacolli ka deklaruar se në një takim i kishte thënë presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Serbia nuk do të mund të bindë shtete tjera që të tërheqin njohjen e Kosovës.

“Vetëm Suriname mund të merret që është pezull, asnjë njohje s’është tërhequr. Në takime u kam thënë edhe Vuçiqit personalisht i kam thënë që po humbni kohë dhe para. Nganjëherë po e humbni edhe fytyrën e juaj”, ka thënë ai, duke shtuar se me vendet ku Serbia po pretendon të tërheqin njohjen, Kosova së fundmi ka lidhur marrëdhënie diplomatike.