Pacquiao: McGregor s’ka për ta goditur asnjëherë Mayweather në fytyrë

Një nga ikonat e sportit të boksit, personalitet në këtë sport dhe që e njeh mjaft mirë Floyd Mayweather është padyshim filipinasi Manny Pacquiao. Së bashku ata kanë zhvilluar “duelin e shekullit”, fituar me vendim unanim të gjyqtarëve nga Mayweather, duke provuar edhe forcën e rivalit.

Në prag të duelit që boksieri amerikan do të zhvillojë me ikonën e UFC-së, Conor McGregor, filipinasi ka bërë parashikimin e tij. Ai ka deklaruar se Mayweather do ta fitojë lehtësisht këtë përballje, duke ironizuar me irlandezin. “Conor nuk ka për të qenë i aftë të lëshojë as edhe një grusht të fuqishëm në fytyrën e Mayweather. Ai nuk ka përvojë në boksin profesionist”, tha Pacquiao.

Më tej, Manny Pacquiao shprehet: “McGregor nuk ka asnjë shans që ta fitojë atë sfidë. Madje unë mendoj se kjo përballje ka për të qenë shumë e mërzitshme”, ka thënë filipinasi, që ka shtuar se nëse njerëzit duan të shohin një ndeshje të vërtetë boksi tëp resin 16 shtatorin, kur do të zhvillohet sfida Alvarez-Golovkin. “

Sfida e vërtetë dhe më e bukur do të jetë ajo mes Saul “Canelo” Alvarez dhe Gennady Golovkin. Më i miri përballë më të mirit. Kjo është sfida që unë po e pres me padurim”, u shpreh Pacquiao, që së bashku me Mayweather, në duelin zhvilluar mes tyre, kanë vendosur disa rekorde për sa i përket fitimit dhe shikueshmërisë.