Pakistan, 40 të vdekur në një aksident hekurudhor

Së paku 40 persona kanë humbur jetën, ndërsa 60 të tjerë janë lënduar gjatë një aksidenti hekurudhor në provincën Sindh të Pakistanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët pakistanezë theksuan se pasi vagoni i një treni në lëvizje në rajonin Ghotki doli nga shinat, u përplas me një tren tjetër që vinte nga drejtimi i kundërt.

Zëvendëskryetari i rajonit Ghotki, Usman Abdullah, u tha gazetarëve se aksidenti ndodhi pasi vagonët e pasmë të “Millat Express” dolën nga shinat në një binar paralel, duke çuar në një përplasje me trenin “Sir Syed Express”.

Pamjet e transmetuara në televizionin lokal tregojnë se ekipet e shpëtimit dhe vendasit nxjerrin trupat dhe të plagosurit dhe i vendosin në ambulanca. Mund të shihen edhe vagonët e dëmtuar keq në shina.

Abdullah tha se të paktën 40 trupa të pajetë u gjetën dhe 60 të tjerë të plagosur u dërguan në spitale, 25 prej të cilëve janë në gjendje kritike.

Një hetim ka nisur për aksidentin.​​​​​​​ /aa