Pandemia nxiti prodhimin e bimëve të egra organike

Prodhimi i bimëve organike të egra vitin e kaluar shënoi rritje vjetore me 65%.

Kjo rritje erdhi për shkak të kërkesës që pati tregu ndërkombëtar për produktet organike, e cila ndikoi tek eksportuesit që të grumbullonin më shumë nga këto bimë.

E gjithë rritja erdhi nga bimët aromatike dhe mjekësore, teksa u pa një rënie e prodhimit të gështenjës dhe frutave të pyllit. Sipas INSTAT, prodhimi i bimëve aromatike dhe mjekësore në gjendje të egër arriti ne 7608 tonë vitin e kaluar me një rritje 65 %.

Këto bimë dominohen nga sherebela dhe çajrat vendase. Ndërsa prodhimi i gështenjës ra me 8 % dhe i frutave të pyllit me rreth 1%.

Kudo në botë pandemia Covid-19 nxiti prodhimin e bimëve organike, për arsye se njerëzit konsumuan më shumë “Bio” për të forcuar imunitetin. Për këtë arsye gjatë viteve 2020-2021 eksporti i bimëve medicinale organike që rritjen në gjendje të egër shënoi rritje me ritme të larta.

Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike është një burim i rëndësishëm të ardhurash për një numër të madh familjesh në zonat rurale, veçanërisht në zonat malore të Shqipërisë.

Sipas studimeve të mëparshme ka deri 100,000 persona që përfitojnë nga rreth 20 000 familje që janë angazhuar në mbledhjen e tyre.

Qarku i Shkodrës radhitet i pari për pjesën kryesore në të ardhurat e fermave familjare, i ndjekur nga Elbasani dhe Kukësi. Të dhënat në nivel rrethi tregojnë se numri i fermerëve të përfshirë në veprimtaritë e bimëve të egra organike është shumë i lartë në Malësinë e Madhe, Kukës, Kolonjë dhe Librazhd.

Rreth 90% e fermerëve që kultivojnë bimë mjekësor, kryesisht sherbele ndodhen në qarkun e Shkodrës (kryesisht Malësi e Madhe).

Megjithëse Shqipëria përballet me një deficit të lartë tregtar për shumicën e produkteve agro-ushqimore, ajo është eksportuese neto e bimëve mjekësore. Vendi ynë është një aktor ndërkombëtar në eksportet e tyre duke u renditur e 16-ta në botë.

Eksportet e bimëve mjekësore shënuan rritje 14% në 2020 kur nisi pandemia në raport me 2019, Sipas të dhënave të doganave, eksportet e bimëve mjekësore në vitin 2021 u rritën 6% krahasuar me vitin e kaluar.

Kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka, thotë se, për vitin 2022, trendi rritës i eksporteve 6%-7% do të mund të garantohet vetëm me rritjen e importit të bimëve mjekësore, pasi në vend ekziston mungesë e theksuar e lëndës së parë.

Për kreun e Shoqatës së Bimëve Medicinale është shqetësuese heqja e skemës së kreditueshme të TVSH-së 6%, që do të shtojë pesimizmin e fermerëve për të kultivuar tokat bujqësore. Arsye tjetër e rënies së prodhimit vendas mbetet shpopullimi i zonave malore, por edhe ikja e fermerëve në emigracion.

Burimi: Monitor