Pangasius – peshku që rrezikon shëndetin edhe të kosovarëve (VIDEO)

Peshku i llojit pangasius është i pranishëm edhe në dyqanet e Kosovës, ndërsa kryesisht preferohet për shkak të çmimit të lirë.

Mirëpo, mediat botërore kanë publikuar shkrime për rrezikun e madh që paraqet konsumimi i këtij lloji të peshkut.

A e dini saktësisht prej nga vjen ky peshk?

Pangasius është peshk me cilësi të ulët që prodhohet në Vietnam, në kushte ekstremist johigjienike. Hapësira e rritjes është përplot baktere të cilat shumë lehtë mund të shkaktojnë sëmundje tek njerëzit, njofton Klan Kosova.

Sipas sajtit “dietmindspirit.org”, i cili mes të tjerash merret edhe me kualitetin e artikujve ushqimorë, këtë peshk nuk duhet konsumuar assesi.

Ky peshk rritet në fermat e lumit Mekong, njërit ndër më të ndoturit në botë. Është përplot me helme kimike dhe baktere pasi një pjesë e madhe e tij përbëhet nga ujërat e mbetjeve industriale. Në të nuk ka asgjë natyrale. Kafshët fatkeqe aty ushqehen me peshq të tjerë, eshtra të tharë dhe të bluar, koka dhe bishta, të përziera edhe  me materiale tjera. Në mënyrë të ngjashme ka ndodhur sëmundja e “lopëve të çmendura” në Britani.

Peshku pangasius rritet katër herë më shpejt se peshqit tjerë, prandaj nuk përjashtohet mundësia që ushqimin ta ketë të mbushur me hormone të rritjes, veçanërisht kur dihet se nuk ka rregullativa ligjore për prodhimin e tij.

Për këtë lloj peshku para disa viteve kanë plasur skandale në Itali dhe Francë.

Hulumtimet kanë treguar se pas ngrënies së këtij peshku ka gjasa të mëdha të ndjeni simptome të helmimit, me ndjenjë të përzierjes së stomakut, rritje të temperaturës trupore dhe të vjella.

Prandaj, mendoni mirë nëse dëshironi të rrezikoni që për shkak të çmimit të lirë ta rrezikoni shëndetin tuaj dhe të familjes.