Papa Françesku: Rastet e abuzimit seksual në kishat në Francë janë turpëruese

Kreu i Kishës Katolike dhe i Vatikanit, Papa Françesku, theksoi se i vjen turp nga fakti që 216 mijë fëmijë kanë qenë viktima të abuzimit seksual në kishat në Francë që nga vitit 1950 e deri më tani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një takim në Vatikan me besimtarët nga vende të ndryshme, Papa foli për raportin rreth abuzimit seksual ndaj fëmijëve në kishat në Francë që u publikua dje.

Papa u shpreh se në raport thuhet se numri i viktimave është i konsiderueshëm. “Dëshiroj të theksoj keqardhjen dhe dhimbjen time për shkak të traumës që ato kanë përjetuar. Fakti që kisha për një kohë të gjatë nuk ka vendosur ata në qendrën e shqetësimit të saj është turpi ynë, turpi im. Ky është një moment turpërues”, tha kreu i Vatikanit.

Ndër të tjera Papa theksoi se këto ngjarje nuk duhet të përsëriten dhe u kërkoi të gjithë peshkopëve që të marrin masat e nevojshme për këtë çështje.

Ai shprehu afërsinë e tij me priftërinjtë francezë përballë kësaj situate që e cilësoi si një “provë të vështirë” dhe u bëri thirrje katolikëve francezë që të sigurojnë që kisha të mbetet një shtëpi e sigurt për të gjithë.

Papa Françesku edhe dje në një deklaratë me shkrim deklaroi keqardhje të madhe nga kjo situatë.

Ndërkohë është përcaktuar se që nga viti 1950 e deri më tani, 216 mijë fëmijë kanë qenë viktima të abuzimit seksual në kishat në Francë.

Kryetari i Komisionit të Pavarur për Abuzimin Seksual në Kisha (CIASE), Jean-Marc Sauve, bëri të ditur se Kisha Katolike nuk mori masat e nevojshme kundër ngjarjeve të abuzimit seksual. /aa