Parlamenti Evropian voton më 19 tetor rezolutën për Kosovën dhe Serbinë

Parlamenti Evropian do të votojë për rezolutën për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në seancën e dytë plenare të tetorit në Strasburg të enjten, më 19 tetor.

Debati për dokumentin, titulli i plotë i të cilit është “Rezoluta për zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat në veri të Kosovës”, është mbajtur të martën, një ditë pasi socialdemokratët në Parlamentin Evropian kanë kërkuar që debati të kthehet në rezolutë.

Në një debat të ashpër, eurodeputetët kërkuan qetësimin e situatës në veri dhe ndëshkimin e Serbisë nëse zbulohet se qëndron pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Masat e propozuara ndaj Serbisë, nëse dëshmohet se është pas sulmit në Banjskë, variojnë nga pezullimi i takimeve në nivelin më të lartë, deri te pezullimi i plotë i financimit nga programi IPA3 dhe projektet e mëdha të infrastrukturës.

Draft-teksti i rezolutës do të publikohet ndërkohë.