Pas ekzekutimeve në Egjipt, kërkohet hetim për torturë

Një grup i të drejtave të njeriut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar ka bërë thirrje për një hetim mbi pretendimet se nëntë personat e ekzekutuar së fundmi nga autoritetet egjiptiane nën dyshimin për vrasjen e vitit 2015, u torturuan në pranimin e krimit.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), kryetarja e organizatës joqeveritare për të drejtat e njeriut “Monitorimi i të Drejtave të Njeriut” në Londër, Salma Ashraf, tha se akuzat se nëntë burrat u torturuan në pranimin e krimit ishin injoruar nga gjykata që i dënoi ata me vdekje.

“Kemi të bëjmë me akuza për tortura. Të gjithë ata (më vonë) nuk pranuan krimin, duke deklaruar se ata e kanë bërë nën torturë”, tha Ashraf.

Por, sipas Ashraf, pretendimet nuk janë hetuar kurrë, as nga gjykata apo nga organet ndërkombëtare.

“Ata iu nënshtruan torturës dhe shokut elektrik derisa njëri prej tyre humbi edhe kujtesën dhe nuk mund ta njohë as familjen e tij”, tha Ashraf, duke vënë në dukje se të nëntë personat e ekzekutuar ishin nën moshën 30-vjeçare.

Ky rast, shtoi ajo, shkel ligjet ndërkombëtare, por edhe ligjet e Egjiptit.

“Duhej të kishte një pezullim të ekzekutimit derisa gjykata të vendoste për kërkesën e avokatëve për rigjykim. Por, vendimi u mor për t’i dhënë fund jetës së tyre dhe gjykata kurrë nuk përkrahu ligjin. Në Egjipt, ligji është manipuluar nga organet e sigurisë, të cilat urdhërojnë vrasjen e çdo force që mund të ngrihet kundër diktaturës”, deklaroi Ashraf.

Sipas saj, me një sistem të tillë të degraduar të ligjit, këto ekzekutime do të vazhdojnë për aq kohë sa bota do të mbetet e heshtur dhe nuk bën asgjë.

“Ata do të vazhdojnë për aq kohë derisa kryerësit nuk japin llogari, për aq kohë sa regjimi ka legjitimitetin ndërkombëtar”, u shpreh Ashraf.

Duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të vepruar kundër shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Egjipt, Ashraf tha se shkeljet e tilla duhet të monitorohen “për të siguruar që atyre t’u jepet fund”.

Më tej, ajo kërkoi “një tribunal ndërkombëtar” për të shqyrtuar përdorimin e shpeshtë të dënimeve me vdekje nga autoritetet egjiptiane.

“Kufizimet duhet të vendosen në këtë qeveri (egjiptiane) derisa të drejtat e njeriut të zbatohet dhe të mbrohen”, u shpreh ajo.

Organizata joqeveritare Monitorimi i të Drejtave të Njeriut është e përkushtuar për dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Lindjen e Mesme, me një fokus të veçantë në Egjipt.

“Ne përpiqemi t’i hedhim dritë shkeljeve të të drejtave të njeriut të kryera nga shteti kundër civilëve. Dhe ne aplikojmë të gjitha mjetet e mundshme për të imponuar presion mbi këto qeveri”, tha Ashraf.

Javën e kaluar, autoritetet egjiptiane ekzekutuan nëntë të rinj të dënuar më herët për vrasjen e një prokurori të përgjithshëm egjiptian, i cili u vra në qershor të vitit 2015 në Kajro, kur një automjet me bombë kaloi pranë autokolonës së tij.

Amnesty International tha se nëntë të ekzekutuarit u dënuan për akuza terrorizmi pas “gjykimit jashtëzakonisht të padrejtë” të dëmtuar nga tortura të pretenduara.

Dënimet me vdekje u kryen pavarësisht thirrjeve për një pezullim të ekzekutimeve nga grupe të shumta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Më herët këtë muaj, autoritetet egjiptiane ekzekutuan gjashtë persona të tjerë në dy raste të veçanta për vrasjen e djalit të një gjyqtari dhe oficeri të lartë të policisë.

Egjipti ka mbetur i rrethuar nga dhuna dhe trazirat, pasi në një grusht shteti në vitin 2013 ushtria rrëzoi Mohamed Morsin, presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë të lirë në vend.