PDK nuk e mbështet Osmanin për presidente

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajtur konferencë për media, ku ka ritheksuar se PDK nuk do ta mbështesë  kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente të vendit.

Hoxhaj ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës e mbështetë procesin e konstituimit të institucioneve shtetërore, të cilat duhet të ofrojnë stabilitet të brendshëm, përballim me pandeminë dhe krizën ekonomike, si dhe ta forcojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, por krijimi i tyre nuk do të duhej të rrezikojë demokracinë, polarizojë shoqërinë, kërcënojë ndarjen e pushteteve dhe as instalimin e një sistemi njëpartiak ku të gjitha pushtetet do të kontrolloheshin nga një parti politike.

“Zgjedhje e Vjosa Osmanit si presidente do ta vendoste Kosovën në një pozicion të rrezikshëm, ku Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte de facto dhe de juro, pushtetin absolut, duke kontrolluar presidencën, legjislativin dhe ekzekutivin. Kosova do të udhëhiqej nga një politikan autoritar siç është zotëri Kurti dhe partia e tij politike, duke shuar çdo mekanizëm tjetër të kontrollit dhe balancit – ashtu siç do të duhej të ishte në një demokraci parlamentare. Pra, PDK është kundër sistemit njëpartiak dhe e mbështet vetëm një kandidat konsensual për president.”, ka theksuar ai.