Pekin, alarm portokalli nga ndotja e ajrit

Autoritetet kineze kanë aktivizuar alarmin portokalli në kryeqytetin Pekin për shkak të ndotjes së madhe të ajrit që ka përfshirë qytetin nga orët e mesnatës, raporton Anadolu Agency (AA).

Administrata Meteorologjike e Kinës njoftoi se ndotja e lartë e ajrit pritet të vazhdojë deri ditën e nesërme.

Siç bëhet e ditur, alarmi portokalli, i cili përdoret për ndotje të lartë të ajrit, do të shfuqizohet pas largimit të ndotjes nga ndikimi i një mase të ftohtë ajrore që do të vijë nesër nga veriu.

Autoritetet lokale kanë alarmuar qytetarët të mos dalin jashtë nëse nuk janë të detyruar, pasi vlera e sasia e grimcave të dëmshme PM 2.5 ka kaluar mbi 250, ndërkohë që pragu i “shëndetshëm” llogaritet 25.

Ekspertët shëndetësorë i kanë paralajmëruar veçanërisht të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes të qëndrojnë larg aktiviteteve që kërkojnë përpjekje trupore.

Qytetarët në Pekin janë shfaqur me maska, kurse në disa zona të qytetit dukshmëria ka rënë deri në 500 metra për shkak të masës së ndotur të ajrit.

Sistemi alarmues i ndotjes së ajrit në Kinë përbëhet nga katër nivele, edhe atë i kaltërt, i verdhë, portokalli dhe i kuq.

Shumë metropole në Kinë bëjnë pjesë në mesin e qyteteve më të ndotura në botë, gjë që është llogaritur si kosto që Kina paguan për zhvillimin dhe industrializimin e saj të shpejtë.

Kina përpiqet ta luftojë ndotjen e ajrit dhe mjedisit posaçërisht nga viti 2014. Në Kinë, vendi me popullsinë më të madhe në botë me 1.43 miliardë banorë, rreth 1.6 milionë njerëz çdo vit humbin jetën nga sëmundje të zemrës dhe mushkërive të shkaktuara nga ndotja e ajrit.

Edhe pse Pekini zyrtar në veçanti vitin e kaluar shënoi progres të madh në reduktimin e ndotjes së ajrit në saje të masave të zbatuara në tërë vendin, ekspertët janë të mendimit se zgjidhja permanente e problemit të ndotjes mund të marrë dhjetra vite.