Kushtet e rënda atmosferike dhe përforcimi i një sistemi me presion të ulët kanë përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e të zhvendosurve në Rripin e Gazës, duke shkatërruar çadrat e tyre dhe duke i ekspozuar ndaj rrezikut të përmbytjeve, sëmundjeve dhe të ftohtit ekstrem, në mungesë të mjeteve bazë të mbrojtjes.
Sipas burimeve lokale, ujërat kanë përmbytur çadra të vendosura në zona të ulëta, ndërsa erërat e forta kanë shkulur dhjetëra të tjera, duke detyruar familje të tëra, përfshirë fëmijë, të qëndrojnë në ambient të hapur mes motit të ftohtë.
Moti i keq ka prekur më shumë se 250 mijë të zhvendosur, nga rreth 1.5 milion persona që jetojnë në çadra ose qendra strehimi primitive, të cilat nuk ofrojnë as mbrojtjen minimale nga shiu dhe era.
Të zhvendosurit përballen me kushte jashtëzakonisht të vështira, duke jetuar në çadra të ndërtuara nga najloni dhe pëlhura të holla, shpesh në rrugë, fusha sportive, sheshe publike dhe shkolla, pa asnjë mjet ngrohjeje apo mbrojtjeje nga stuhitë.
Në zona të ndryshme të Gazës, veçanërisht në Khan Junis, shirat e dendur dhe erërat e forta kanë shkaktuar përmbytjen dhe shkatërrimin e shumë çadrave, duke rënduar situatën e dhjetëra mijëra familjeve palestineze. Po ashtu, janë shembur disa ndërtesa banimi të dëmtuara më parë nga bombardimet izraelite.
Mungesa e karburantit e ka thelluar krizën, pasi familjet nuk kanë mundësi për ngrohje gjatë netëve të ftohta. Kjo situatë ka pasur pasoja të rënda për fëmijët, me raste vdekjesh të raportuara si pasojë e të ftohtit.
Qytetarët, për mungesë alternativash, janë detyruar të strehohen edhe në ndërtesa të çara dhe të rrezikshme, pas shkatërrimit masiv të banesave dhe ndalimit të futjes së shtëpive të lëvizshme dhe materialeve të ndërtimit.
Që nga fillimi i ndikimit të këtyre sistemeve atmosferike në muajin dhjetor, 17 persona, përfshirë 4 fëmijë, kanë humbur jetën, ndërsa rreth 90 për qind e qendrave të strehimit të të zhvendosurve janë përmbytur. /mesazhi





