Përmirësohet ndjeshëm shëndeti i legjendës së Formula 1

Lajme të mira vijnë nga familja Shumaker. Legjenda e Formula 1 Majkëll Shumaker, nuk qëndron më i shtrirë në shtrat dhe nuk ushqehet më me tuba.

Sipas “Daily Mail”, ish-kampioni i botës në Formula 1 ka bërë përparime të jashtëzakonshme sa i përket shëndetit, pas një periudhe të gjatë rehabilituese si pasojë e aksidentit të pësuar në Merbel të Francës.

Sipas lajmeve që vijnë nga “Sportsmail”, familjarët e tij kanë hedhur dritë të re mbi gjendjen e kampionit të Formula 1 i cili pësoi aksident në vitin 2013 teksa bënte ski në Alpet franceze. Pavarësisht nga raportimet në muajin mars, ku thuhej se legjenda e F1 kishte mbetur i paaftë për të folur apo për të ecur, “Sportsmail” ka mësuar se ai nuk është më i shtrirë dhe pesha e tij është normale.

Media në fjalë njoftoi se Shumaker po merr një trajnim intensiv dhe fizioterapi që vlerësohet të kushtojë më shumë se 50 mijë paund në javë. Shumaker mbush plot 50 vjeç më 3 janar, vetëm 5 ditës pas 5-vjetorit të tragjedisë që i ndryshoi jetën atij përgjithmonë. Bashkëshortja e tij prej 20 vitesh, Corinna, insistoi se progresi i bërë është mbajtur sekret.

Shumaker banon në shtëpinë e tij në Zvicër, në një dhomë të përshtatur për trajtimin e tij shëndetësor. Informacionet përkasin edhe me deklaratën e pak ditëve më parë të presidentit të FIA-s, Jean Todt, që theksoi se e kishte ndjekur bashkë me Shumakerin Çmimin e Madh të Brazilit, por pa dhënë detaje të tjera mbi shëndetin e gjermanit. /ATA/