Peshku i furrës është i lehtë, i butë për tretje dhe i pasur me Omega-3
Perimet e stinës e bëjnë pjatën plot shije dhe me fibra të mira për zorrët.
Përbërësit:
▪ 1 peshk i freskët, i pastruar
▪ 2-3 lugë vaj ulliri ekstra të virgjër
2 limonë (1 për peshkun, 1 për shtrydhje)
▪ 2-3 thelpinj hudhër
▪ një tufë majdanoz i freskët
▪ 2 karota
▪ 1 kungulleshkë
▪ 1 spec i verdhë ose i kuq
▪ 1 patëllxhan i vogël
▪ kripë dhe piper i zi (pak, ose vetëm kripë sipas tolerancës)
▪ 1 gotë oriz basmati ose integral
▪ 1 degë rozmarine ose rigon i freskët (sipas dëshirës)
Përgatitja
1. Peshku:
Shpëlaje mirë dhe fshije me letër kuzhine. Shtyp pak limon, përzieje me vaj ulliri dhe pak majdanoz të grirë. Lyeje peshkun brenda dhe jashtë.
Fut edhe pak hudhër brenda në barkun e peshkut, bashkë me disa feta limoni dhe disa degëza rozmarine ose rigon.
2. Perimet:
Qëroji dhe priji në copa të mëdha. Vendosi në tavë rreth peshkut. Spërkati me pak vaj ulliri, kripë dhe pak piper të zi.
Mund t’i spërkasësh me lëng limoni për freski.
3. Pjekja:
Furrë e parangrohur në 180°C. Pjek peshkun dhe perimet për 25-35 minuta, në varësi të madhësisë së peshkut. Mos i tejpjek, peshku duhet të qëndrojë i lëngshëm.
4. Orizi:
Shpëlaje mirë orizin dhe ziej në ujë me pak kripë, mund të shtosh një gjethe dafine ose pak rozmarinë për aromë.
Kur të jetë gati, kulloje dhe shërbeje ngrohtë.
Mund ta shoqërosh me një sallatë të thjeshtë me rukola, spinaq të freskët ose marule, vaj ulliri dhe limon.
Për pije: ujë me pak feta limoni ose çaj.
Ju bëftë mirë








