Tradita e hershme e gjysheve dhe nënave përsëritet brez pas brezi. Receta e petullave pavarësisht se pasurohet me përbërës të tjerë ajo mbetet përherë e gjithmonë më e preferuara.
Të shijshme, me sipërfaqen pakëz krokante dhe të buta nga brenda, nga fëmijëria e në çdo moshë ato tërheqin shijen e kujtdo.
Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat.
Vështirë t’u rezistosh! Të ngrohta, me pak mjaltë, sheqer pluhur a kanellë, reçel apo djathë. Por edhe pa i shoqëruar fare, me asgjë, shija e tyre e plotë të përfshin tërësisht.
Fantastike për mëngjes dhe shoqëruese të këndshme për drekë, petullat mbeten një nga gatimet speciale jo vetëm për familjen por edhe miqtë e të afërmit
Për një gatim më të shëndetshëm në vend të vajit vegjetal përdorni vaj ulliri.
Përbërësit
- 2 gota uji me miell
- 1 gotë uji me kos
- 1 kokërr vezë
- Gjysmë luge kafeje me sodë
- Vaj
- Pak kripë
- Pak gjalpë (një lugë të vogël)
Përgatitja
- Në një tas të madh hedhim vezën, kosin, kripën dhe pak gjalpë.
- I rrahim fortë të gjithë përbërësit dhe më pas hedhim miellin dhe sodën.
- Vijojmë t’i rrahim fortë derisa masa e brumit të jetë e njëtrajtshme.
- Brumi duhet të jetë gjysmë i trashë dhe elastik.
- Hedhim vajin në një tigan, të cilin e vendosim në zjarr.
- Kur vaji të jetë nxehur nisim të skuqim petullat.
- Mund të përdorim një lugë për ndarjen e brumit për çdo petull.
- Duhet të kujdesemi që largësia nga njëra tjetra duhet të jetë deri në 3 apo 4 cm sepse gjatë skuqjes brumi hapet.
- Petullat skuqen nga njëra anë dhe pastaj kthehen nga ana tjetër.
- Pasi të jenë skuqur mirë vendosen në pjatë.
- Ato mund të serviren me mjaltë, pluhur sheqeri e kanelle apo edhe me djathë.







