Policia: Situata në veri gjatë natës e qetë

Policia e Kosovës në pasditen e së dielës ka arritur të futet në Manastirin e Banjskës në Leposaviç, ku po strehoheshin sulmuesit.
Gjatë natës situate në atë pjesë dhe në gjithë veriun e vendit ka qenë e qetë.

Atje po vazhdon të qëndrojë Policia e Kosovës me njësitet e sajë sikurse të dielën.

Kështu ka bërë të ditur për Lajmi.net zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Situata është e qetë, krejt në rregull dhe nën kontroll është. Nuk ka pasur diçka gjatë natës. Ne jemi këtu dhe në gatishmëri”, ka thënë ai për Lajmi.net.

Ai tutje ka bërë të ditur se të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe nuk ka barrikada.

Polici, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë dhe një dy të tjerë u plagosën, si pasojë e përleshjes me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit.

Rasti ndodhi të dielën në orët e para të mëngjesit, pasi që policia kishte pranuar informatën për vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Banjskë, të cilët kishin bllokuar lëvizjen.

Me të pranuar informatën njësitet policore u nisën drejt vendit të ngjarjes, aty edhe ku u qëlluan me armë zjarri dhe reshteri i policisë, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë kurse polici Alban Rashiti u plagos.

Situata vazhdimisht ishte e tensionuar si pasojë e të shtënave me armë mes grupit të armatosur dhe policisë.

Autoritetet e Kosovës thanë se personat e maskuar rreth 30 sosh ishin vendosur brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës.

Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se gjashtë personat e arrestuar, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, dyshohen për “vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “përgatitje të veprave terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”.