Prishtina fiton Kupën e Kosovës

Skuadra e Prishtinës ka mposhtur në finale Vëllaznimin pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 5:4.

Ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimit dy herë nga 15 minuta përfundoi 1:1.

Kjo është hera e gjashtë që Prishtina fiton trofeun.

Në penallti lojtarët e Prishtinës ishin me të saktë se lojtarët e Vëllaznimit.

Vëllaznimi e filloi më mirë ndeshjen duke pasur disa raste mjaftë të mira për shënim, por djelmoshat e skuadrës nga Gjakova nuk ishin të vëmendshëm para portës së Visar Bekajt. Prishtina ishte fokusuar në mbrojtje dhe kundërsulme të shpejta gjatë pjesës së parë.

Prishtina arriti të kalojë në epërsi në minutën e 21-të, ku pas një harkimi nga goditja e dënimit nga Bozovic, topi i devijuar nga Altik Muhaxheri goditi në kokë Basit Khalid, dhe kështu topi përfundoi në rrjetën e portës gjakovare. Më pas Vëllaznimi u mundua të barazojë rezultatin gjatë pjesës së parë, por Visar Bekaj ishte në nivel të detyrës dhe nuk e lejoi një gjë të tillë duke intervenuar disa herë përball sulmuesve të ekipit gjakovar.

Pjesa e dytë ishte më e nivelizuar edhe pse Vëllaznimi ishte në ndjekje të rezultatit. Ahmed Januzi pas inkuadrimit në pjesën e dytë pati një rast mjaft të mirë shënimi, por goditjen e tij, pothuajse nga vija e portës e largoi mbrojtësi i Vëllaznimit.

Burrim Qorri i Vëllaznimit ishte shumë afër për të barazuar rezultatin, por goditja e tij me kokë goditi shtyllën. Po zhvillohej minuta e 79-të e ndeshjes, kur skuadra gjakovare barazoi rezultatin në 1:1.

Dardan Rugova ishte ai i cili më së miri u gjend në mbrojtjen e Prishtinës pas topit të devijuar nga Visar Bekaj. Më pas asnjëra skuadër nuk arriti të shënoj golin e fitores, kështu ndeshja shkoi në vazhdime, të cilat nuk rezultuan me fitues, të cilin e përcaktuan penalltitë./