Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për Demaliajn

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj u arrestua dje pasdite, për një deklaratë që kishte thënë për ish-prokurorin Elez Blakaj.

Mirëpo, deklarata e tij mund ta lë atë në paraburgim për 30 ditë nëse miratohet kërkesa e prokurorit të rastit, Rexhep Maqedonci.

Në një prononcim për Indeksonline, prokurori ka thënë se sot pritet të mbahet seanca ndaj Demaliajt.

“Kam bërë kërkesë që Demaliajt t’i vazhdohet masa e paraburgimit për 30 ditë dhe pres kah mesdita të mbahet seanca”, ka thënë Maqedonci.

Kujtojmë se pas ngritje së aktakuzës ndaj Demaliajt si anëtarë i komisionit për verifikimin e listave të veteranëve dhe publikimit të listës me veteranët mashtrues në të cilën ndodhej edhe emri i babait të tij, deputeti Demaliaj kishte thënë se do të merret personalisht me ish-prokurorin Blakaj.

“Nëse shteti nuk bën kërkesë që ai (Blakaj) të kthehet në atdhe për t’u gjykuar për shantazhin që i ka bërë opinionit, prokurorisë, nga unë do të ndiqet dikur privatisht, nëse shteti nuk merr masa për ta ndjekur”, tha ai.

Ndërkaq, të mërkurën për shkak të kërcënimeve ishte arrestuar edhe deputeti i Nismës, Milaim Zeka, i cili kishte kërcënuar se do të merret privatisht dhe me kanun me prokurorin e rastit të tij për mashtrim me viza. Për këtë deklaratë të tij, Gjykata Themelore e Prishtinës aprovoi kërkesën për paraburgim për 30 ditë ndaj tij.