Disa pronarë të Teslës në SHBA thonë se kanë gjithnjë e më shumë frikë të ngasin makinën, pasi kritikat ndaj shefit ekzekutiv të kompanisë Elon Musk u shndërruan në vandalizëm të objekteve dhe makinave të Tesla-s.
Drejtuesit pretendojnë se rebelimi kundër Musk, tani manifestohet gjithnjë e më shumë përmes sjelljes agresive të shoferëve të tjerë ndaj pronarëve të Tesla-s.
Në Fargo, Dakota e Veriut, një pronare e Tesla-s e regjistroi incidentin teksa dërgonte fëmijët e saj në shkollë. Ajo i tha CNN se donte të mbetej anonime, kështu që ata e prezantuan atë vetëm me inicialet e saj – A.R.
“Ai ishte duke vozitur mu në mes midis dy korsive, kështu që unë nuk mund ta parakaloja. Ai hapi dritaren, më ngriti gishtin e mesit, më hodhi diçka dhe po më shikonte gjatë gjithë kohës. Ishte vërtet e frikshme”, tha ajo.
“Kur hyja në korsinë e kthesës majtas, ai kthehej për të më prerë rrugën dhe për të qëndruar para meje. Dhe më pas, nga dritarja më dha përshëndetjen naziste. Ajo që më goditi më shumë ishte se fëmija im ishte ulur në ulësen e pasagjerit. Thjesht po mendoja se çfarë të bëja nëse ai përplasej me mua. Çfarë duhet të bëj? Si duhet të reagoj”, shtoi ajo.
Policia e Fargo ka konfirmuar për CNN se është duke hetuar rastin. CNN ka siguruar një video tjetër, e cila është marrë nga një tjetër pronar i Tesla-s, gjithashtu nga Fargo. Në video shihet mjeti përballë Tesla-s duke u kthyer papritur dhe duke frenuar, për pak sa nuk ka shkaktuar një përplasje.
Sergio Rodriguez, pronar i një Tesla Model Y dhe dy Cybertrucks, thotë se edhe ai është shënjestruar disa herë. Vajza e tij ka mini Teslën e saj.
“Frika ime më e madhe është kur vajza ime është në makinë. Unë isha në parking kur shoferi i një Dodge Ram u kthye drejt meje dhe lëshoi një re tymi të zi. Unë mund të duroj marrëzinë e të tjerëve, por nuk dua që fëmija im të ekspozohet ndaj rrezikut vetëm sepse dikush dëshiron të shtiret si i zgjuar”, tha ai.
Pavarësisht përvojave të pakëndshme, të dy A.R. dhe Sergio thonë se nuk do të heqin dorë nga Teslat e tyre. Megjithatë, disa pronarë vendosin ndryshe. Jennifer Trebb vendosi të shesë Teslën e saj dhe me humbje.
“Për mua, ishte një vendim moral. Isha në parking duke vendosur sende ushqimore në makinë, kur dikush kaloi pranë meje, pa një Tesla, hapi dritaren dhe më quajti një prostitutë naziste. U ktheva në shtëpi dhe i thashë burrit tim: ‘Po e heqim qafe këtë makinë. Nuk dua të lidhem me të’”, shtoi ajo.








