Protestat në Gjermani, dyshime për lidhjet e policisë me ekstremistë të djathtë

Në Gjermani ka dyshime për lidhje të ekstremit të djathtë me policinë. Përplasjet e dhunshme në Chemnitz rezulton të kenë qenë pasoje e rrjedhjes së informacionit mbi mandatarrestin e përgatitur për një irakian të konsideruar si i dyshuari kryesor i vrasjes së një 35-vjeçari gjerman.

Fletarresti me emrin e plotë të 22-vjeçarit irakian, që u bë shkas për protestat e dhunshme në qytetin lindor gjerman, u postua në Twitter nga Lutz Bachmann, themelues i grupit të ekstremit të djathtë “Pegida”.

Policia në Chemnitz është përballur me një rrebesh kritikash, sepse nuk ishte e mirë përgatitur për protestat e demonstruesve ksenofobë mbrëmjen e së dielës, në vazhdën e goditjes fatale me thikë të viktimës së identifikuar vetëm si Daniel H..

Plot 6.000 vetë u mblodhën për të ngritur zërin ndaj të huajve, duke marrë shkas nga ky episod, e 1.500 protestues kundërshtarë iu vunë përballë.

Situata degjeneroi shpejt në dhunë dhe trazirat vazhduan deri mbrëmjen e së hënës. Në slogane që disa i përshkruajnë si reminishenca të erës naziste, disa nga tubuesit thërrisnin: një i huaj i vdekur për çdo gjerman të vdekur!