Protestë para selisë së OKB-së në Afrikë, vendosin trupat e 16 viktimave

Protestuesit kanë vendosur së paku 16 trupa para selisë së Kombeve të Bashkuara në Republikën e Afrikës Qendrore.

Ata kërkuan që t’i jepet fund dhunës, duke thënë se trupat janë të civilëve të vrarë të martën, në përleshjet midis forcave të OKB-së dhe grupeve të armatosura në një lagje të kryeqytetit Bangui.

Misioni i OKB-së në Republikën e Afrikës Qendrore nuk e ka komentuar ende protestën. Trupat e tij kanë nisur një operacion të dielën, për të çarmatosur një milici në lagjen PK5.

Qeveria e re, e zgjedhur në vitin 2016, ka dështuar të sjellë paqe në Republikën e Afrikës Qendrore, e cila mbetet e paqëndrueshme prejse ka shpallur pavarësinë nga Franca, në vitin 1960.