Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pse aparteidit izraelit po i vjen fundi

Pse aparteidit izraelit po i vjen fundi

Shenjat që sionizmi do ketë fatin e regjimit racist në Afrikën e Jugut

Daud Abdullah, Palestine Chronicle

Të dyja lindën në vitin 1948, nga barku i kolonializmit evropian. Si dy binjakë siamezë, Afrika e Jugut nën aparteid dhe Izraeli sionist u mbështetën te përkrahja perëndimore dhe strukturat e racizmit për të mbijetuar e për të konsoliduar pushtetin.

Tri dekada pas shembjes së regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut, në vitin 1994, Izraeli sionist po shkon me shpejtësi drejt një fundi po aq të palavdishëm.

Shkaku i menjëhershëm i këtij ndryshimi dramatik ka qenë gjenocidi në Gaza, por një pikë kthese vendimtare në këtë proces u shënua që në korrik të vitit 2005, me krijimin e lëvizjes për Bojkot, Tërheqje të Investimeve dhe Sanksione (BDS).

Në fillim, kritikët dhe skeptikët pretendonin se ideja për të përsëritur atë që ishte arritur në Afrikën e Jugut, ishte thjesht një dëshirë e parealizueshme. Ata bënë gjithçka për të vënë në dukje dallimet mes dy betejave, në vend që të përqendroheshin te ngjashmëritë e tyre.

Nëse kthehemi te përvoja e Afrikës së Jugut, fundi i viteve 1980 shënoi një periudhë vendimtare në historinë e saj. Zemërimi ndërkombëtar ndaj mizorive të kryera nga regjimi i aparteidit kishte arritur kulmin, deri në pikën që klasat politike në Britani dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund ta mbështesnin më atë regjim pa rrezikuar interesat e tyre politike dhe ekonomike.

Sanksionet fillestare, të kufizuara dhe më shumë simbolike, dukeshin të mjaftueshme për të shpëtuar imazhin e qeverive perëndimore, por nuk shkonin aq larg sa të dëmtonin investimet e korporatave të tyre shumëkombëshe.

Pikërisht në këtë klimë hezitimi, lëvizja globale kundër aparteidit e intensifikoi fushatën e bojkotit dhe sanksioneve, duke ushtruar një presion që në fund i detyroi elitat politike dhe ekonomike perëndimore të tërhiqeshin.

Sot po merr formë një skenar i ngjashëm. Qeveri të ndryshme evropiane kanë vendosur sanksione ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ndonëse këto masa janë hapa të mirëpritur në drejtimin e duhur, ato mbeten qartësisht të pamjaftueshme, sepse nuk godasin institucionet dhe strukturat që mbështesin lëvizjen kolonizuese.

Pikërisht për këtë arsye, pas gjenocidit, bojkoti kulturor dhe sportiv ndaj Izraelit të aparteidit ka marrë një hov të ri. Në industrinë e argëtimit, vendimi i këngëtarit dhe kantautorit britanik Ed Sheeran për të përjashtuar reperin amerikan Macklemore nga turneu i tij në SHBA, pasi ky i fundit bëri deklarata në mbështetje të Palestinës, e shndërroi reperin brenda natës në një figurë simbol të kauzës palestineze.

Pas largimit të Macklemore, nga turneu u tërhoqën edhe muzikanti irlandez Aaron Rowe, grupi danez Lukas Graham, artisti amerikan Finneas dhe grupi irlandez Beoga.

Kur Macklemore njoftoi turneun e tij “Free Palestine” (Liri Palestinës), me tri koncerte në Paris, Dublin dhe Londër, biletat u shitën menjëherë. Ai deklaroi se të gjitha të ardhurat nga koncertet do t’u kalojnë organizatave që mbështesin palestinezët.

Edhe nga bota e sportit pati një reagim në mbështetje të tij. Lewis Hamilton, shtatë herë kampion bote në Formula 1, shprehu solidaritetin me Macklemore pas përjashtimit të këtij të fundit nga pjesa amerikane e turneut të Sheeran.

Në një koment në Instagram, Hamilton shkroi: “Faleminderit që po e përdor zërin tënd. Jam me ty”. Domethënëse ishte edhe përgjigjja e Macklemore, i cili sqaroi se nuk e konsideron veten viktimë, dhe se vëmendja duhet të mbetet te kostoja njerëzore e luftës në Rripin e Gazës.

Edhe në sport, në fillim të tetorit, autoritetet holandeze ndaluan tifozët e klubit izraelit Hapoel Be’er Sheva të merrnin pjesë në ndeshjen e Ligës së Evropës kundër AZ Alkmaar.

Ky vendim erdhi saktësisht një vit pasi Këshilli Bashkiak i Birminghamit, në Britani, kishte ndaluar tifozët e Maccabi Tel Aviv të ndiqnin një ndeshje në qytet.

Ndonëse në të dyja rastet masat u justifikuan me shqetësimet për sigurinë publike dhe jo drejtpërdrejt me bojkotin, ato dëshmojnë gjithsesi për një mungesë gjithnjë e më të madhe tolerance në Evropë ndaj sjelljeve raciste, antisociale dhe huligane të tifozëve izraelitë në qytetet evropiane.

Në tërësi, lista e personaliteteve me ndikim që mbështesin bojkotin ndaj Izraelit të aparteidit, përfshin përfaqësues të një spektri të gjerë shoqëror: muzikantë, artistë, sportistë, shkencëtarë dhe shkrimtarë.

Mes tyre spikat edhe romancierja irlandeze Sally Rooney, fituese e çmimeve letrare. Në vitin 2021, ajo refuzoi në mënyrë të bujshme t’i jepte të drejtën e përkthimit të romanit të saj bestseller “Beautiful World, Where Are You” një shtëpie botuese me seli në Izrael.

Kohët e fundit, Rooney është shfaqur si një mbështetëse e vendosur dhe e zëshme e grupit britanik të aktivistëve Palestine Action, i cili është shpallur organizatë e ndaluar në Britani. Pas ndalimit të tij, shkrimtarja u zotua se të ardhurat nga librat e saj do t’ia kalonte këtij grupi.

Në vitin e tretë të gjenocidit në Gaza, opinioni publik botëror ka pësuar një ndryshim thelbësor dhe vendimtar. As mesazhet e zgjedhura me kujdes për mediat, as fushatat për denigrimin e personaliteteve dhe as përpjekjet e sajuara për të ngjallur ndjenjën e fajit, nuk mjaftojnë më për ta ndalur këtë valë ndryshimi.

Kur një parti politike kryesore evropiane, siç është Partia e Gjelbër në Angli, vendos të braktisë farsën e zgjidhjes me dy shtete, e cilëson sionizmin si një formë racizmi dhe kërkon krijimin e një shteti të vetëm demokratik në Palestinën historike, mesazhi nuk mund të jetë më i qartë.

Shenjat janë të shkruara në mur: fundi i aparteidit izraelit mund të jetë shumë më pranë sesa mendohej në vitin 2005, kur nisi lëvizja BDS. \tesheshi