Pse tërhiqemi nga ata që na lëndojnë?

Dashuria dhe marrëdhëniet jo gjithmonë kanë kuptim. Kur bëhet fjalë për Dashurinë, shpesh kemi një mënyrë për t’u larguar nga marrëdhënia që vërtet duam më shumë dhe për të ndjekur dikë që nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të na sjellë dhimbje.

Për disa arsye, personi, që është pothuajse e sigurt se do t’ju lëndojë, është shpesh personi që ju duket më tërheqës, ndërsa dikush që do t’ju donte dhe do të ishte i mirë me ju, ju duket i mërzitshëm, pa gjallëri dhe jo emocionues.

Në një farë mënyre, ne e kemi ngatërruar vuajtjen, me eksitim dhe frikën e braktisjes, me tërheqje. Pra, sa më shumë të kemi frikë të humbasim dikë, aq më shumë na tërheq dhe sa më shumë drama që na krijon, aq më shumë punojmë për ta mbajtur pranë.

Kjo na krijon një përpjekje të përhershme për të qenë të lumtur, por kurrë nuk e arrijmë atë.

Thellë brenda vetes e dini se doni Dashurinë e Vërtetë, besimin dhe intimitetin, por vazhdimisht largoheni nga dikush që mund t’ua ofrojë pikërisht këtë dhe përfundoni duke u përpjekur t’ia dëshmoni veten dikujt që kurrë nuk do t’ju vlerësojë vërtetë.

Dhe nuk jeni të vetmit që e bëni këtë, ju garantojmë.

Pra, për çfarë bëhet fjalë? Pse na tërheqin njerëzit që na sjellin dhimbje dhe si ta ndalojmë këtë?

Të flasim fillimisht për Lidhjen Traumatike

Lidhja Traumatike është kur tërhiqemi nga dikush, sepse na kujton traumat tona të së kaluarës.

Një shembull i mirë i kësaj do të ishte, nëse keni një ish që ju ka thyer zemrën, mund të tërhiqeni nga njerëzit që ju kujtojnë atë person. Ju mund të kërkoni marrëdhënie me njerëz që duken si ata ose sillen si ata, në një farë mënyre, duke u përpjekur që marrëdhënien, kësaj here ta bëni siç duhet.

Një shembull tjetër mund të jetë, nëse dikush që ju ka tërhequr në shkollën e mesme ose të lartë, ju ka refuzuar (ndoshta dashuria juaj e parë). Ju mund të krijoni një tërheqje ndaj njerëzve që u ngjajnë atyre në një farë mënyre, ose ju bëjnë të ndiheni ashtu siç ata ju bënë të ndiheni.

Shumë shpesh, lidhjet tona të traumës janë të lidhura me aspekte të pazgjidhura të marrëdhënieve tona me prindërit tanë, mënyra në të cilat ne nuk u ndiem të pranuar ose të vlerësuar. Më pas ne kërkojmë marrëdhënie me njerëz që pasqyrojnë këto dinamika.

Këto lloj lidhjesh traumatike, janë të rrënjosura në dëshirën për të shëruar të kaluarën, duke marrë një shans të dytë. Ideja e pavetëdijshme është se, nëse mund të marr dashuri nga ky person, kjo do të kompensojë dashurinë që nuk e mora nga prindërit e mi ose nga ish-i im.

Problemi është se ne po kërkojmë dinamika që pasqyrojnë atë traumë, me shumë mundësi që nuk do ta gjejmë Dashurinë që po kërkojmë, por përkundrazi do të përjetojmë edhe më shumë braktisje dhe refuzim.

Ky model bie me kalimin e kohës dhe ne përfundojmë në marrëdhënie me njerëz që na bëjnë të ndihemi sikur nuk jemi kurrë të mjaftueshëm për ta, dhe vazhdimisht përpiqemi ta dëshmojmë veten.

Për t’u shëruar nga këto lidhje traumatike, duhet ta pranoni se nuk ekziston askush që ju ndonjëherë mund t’ia dëshmëni veten, e që do t’ju bëjë të ndiheni plot. I vetmi person të cilin duhet ta bindni, është vetja juaj dhe kur ta bëni këtë, do të kapërceni nevojën për t’u dëshmuar tek të tjerët.

Sapo të ndodhë kjo, tërheqjet tuaja gjithashtu do të fillojnë të ndryshojnë. Për shkak se nuk po përpiqeni më të kompensoni dhimbjen e së kaluarës, ju humbni tërheqjen ndaj njerëzve që pasqyrojnë atë të kaluar dhe tërhiqeni nga njerëzit që mbështesin lumturinë tuaj.

Hapi tjetër: Sqaroni tërheqjen tuaj

A e keni pyetur ndonjëherë veten, pse jeni tërhequr nga njerëzit nga të cilët jeni tërhequr? Si janë krijuar këto tërheqje? Dhe nëse këto tërheqje janë të shëndetshme?

Nëse gjeni kohë të shihni brenda vetes dhe t’ia bëni vetes këto pyetje të vështira, mund të habiteni shumë nga ajo që do të gjeni.

Shumica e ideve për tërheqjen janë shumë joorigjinale. Janë ide që janë formuar përmes lidhjeve tona traumatike, standardeve shoqërore dhe pritshmërive të paarsyeshme.

Ato na janë imponuar përmes filmave, muzikës dhe kulturës, gjë që do të ishte në rregull, përveç kur kultura jonë promovon ide për Dashurinë që janë shumë të pashëndetshme dhe nuk krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme e të dashura.

Pritjet tona kulturore për Dashurinë kanë shumë pak të bëjnë me Dashurinë e Vërtetë ose intimitetin, dhe si rezultat, shumica prej nesh që janë në kërkim të Dashurisë, ndjekin diçka që nuk ekziston dhe nuk e kanë idenë se çfarë në të vërtetë duan në zemrat e tyre.

Për shumicën prej nesh, tërheqja është zakonisht shumë sipërfaqësore, duke u bazuar kryesisht në atribute fizike, seksuale dhe ndonjëherë edhe intelektuale. Pothuajse kurrë nuk bazohet në ndonjë gjë më të thellë se kaq dhe shumica prej nesh as nuk dinë të kërkojnë ndonjë gjë tjetër.

Hapi më i rëndësishëm: Njihni vlerën tuaj

Ekziston një mrekulli që ndodh para se të gjeni Dashurinë dhe nuk mund ta gjeni dashurinë e vërtetë dhe të qëndrueshme derisa kjo mrekulli të ndodhë.

Mrekullia është se ju arrini të kuptoni se meritoni shumë më tepër sesa i keni lejuar vetes. Se ju meritoni më shumë sesa marrëdhëniet që pasqyrojnë pafundësisht pakënaqësitë e së kaluarës tuaj, ose bazohen në nevojën tuaj për miratim nga të tjerët.

Është të kuptuarit se ju jeni një qenie unike, ndryshe nga kushdo tjetër, dhe meritoni atë që është unike e përsosur për ju. Ju e meritoni atë që do t’ju sjellë lumturi.

Nuk është ajo që prindërit tuaj mendojnë se duhet të keni ose çfarë thonë të tjerët se duhet të keni, por është ajo që ju e doni me zemër, për veten tuaj.

Shumica prej nesh kanë frikë edhe të hulumtojnë se çfarë është kjo në të vërtetë, sepse e dimë se nëse do ta ndiqnim zemrën, do të na çonte në një territor të pakëndshëm. Do të linim pas normat dhe pritshmëritë shoqërore, do të përballeshim me kritika nga ata përreth nesh dhe do të sillnim plagë të pashëruara që i kemi shmangur gjatë gjithë jetës.

Por, ana tjetër është se, ju më në fund do të ndiheni mjaftueshëm të lirë për të qenë vetja juaj autentike dhe për ta pasqyruar këtë, marrëdhëniet tuaja do të ndryshonin natyrshëm.

Nevoja për ta dëshmuar veten dhe për t’i përmbushur pritshmëritë e të tjerëve ushqehet nga frika juaj e braktisjes dhe refuzimit. Për sa kohë që vendimet tuaja udhëhiqen nga këto frika, marrëdhëniet tuaja do ta reflektojnë këtë dhe vazhdimisht do ta gjeni veten në marrëdhënie lënduese dhe të pakënaqshme, për shkak të këtij kërkimi të gabuar për t’u dëshmuar.

Denjësia është të kuptuarit se ju meritoni të jeni vetvetja në mënyrë autentike, plus guximi për të qenë vetvetja. Kur të filloni ta jetoni jetën tuaj në këtë mënyrë, do të tërhiqni një partner që ju do ashtu siç jeni.

Takimi i ndërgjegjshëm ka të bëjë me sjelljen e vetëdijes në këto zona dhe transformimin e tyre. Ka të bëjë me çlirimin nga përsëritja e cikleve të së shkuarës suaj, në mënyrë që të krijoni një të ardhme të re.

Krijimi i marrëdhënies së ëndrrave kërkon që ju të gjeni qartësi mbi natyrën e vërtetë të asaj marrëdhënieje dhe të kuptoni se sa të denjë jeni për të.

Siç thotë shprehja, “asgjë nuk ndryshon derisa diçka të ndryshojë”, ju nuk mund të prisni të vazhdoni me modelet dhe zakonet që ju kanë tërhequr në marrëdhëniet që nuk i dëshironi, dhe një ditë të gjeni Dashurinë e Vërtetë. Vetëm do të merrni më shumë nga e njëjta gjë.

Përktheu dhe përshtati

TB