Punëtorët e ndërtimit punojnë në kushte të rënda

Punonjësit e profileve të ndryshme, kryesisht të ndërtimtarisë, janë përballur me temperatura të larta dhe të papërshtatshme për punë gjatë javës së fundit.

Për t’i ikur rrezikut nga temperaturat e larta, kryetari i Sindikatës së Punonjësve Privat, Jusuf Azemi, tha se është ankuar në Inspektorat të Punës dhe e institucione të tjera përgjegjëse, por sipas tij, kërkesat nuk i janë marrë parasysh. Ankesën e Sindikatës e ka mohuar zëvendëskryesinpektori i Punës, Agim Millaku.

Punëtorët që i ekspozohen rrezeve të diellit më gjatë, në veçanti ata të sektorit të ndërtimit, javën e kaluar janë përballur me vështirësi për shkak të temperaturave të larta, të cilat në Kosovë kanë arritur deri në 40 gradë.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, tha se si Sindikatë ka kërkuar që të punohet 4 orë para dite dhe 4 orë pas dite, por sipas tij, jo të gjithë punëdhënësit i kanë marrë parasysh kërkesat.

“Vetë kam dalë në terren dhe në temperaturë 42 gradë i kamë parë që kanë punuar në objektet mbi 20 katesh ku dhe ua kam tërhequr vërejtjen që çdo lëndim për shkak të temperaturave, barrën duhet ta bartë punëdhënësi së bashku me Qeverinë e Kosovës. Por, megjithatë ne kemi disa lëndime të cilat tash për tash nuk kemi diagnozë të saktë se a kanë ardhur për shkak të temperaturave. Por është e tmerrshme që edhe pa pajisje të mjaftueshëm për punë në temperaturë 42 gradë i kam parë në Prishtinë duke punuar në këto situata”.

Azemi tha se edhe pas ankesave në Inspektoratin e Punës dhe institucionet relevante në Kosovës, nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Nuk kemi marrë përgjigje edhe pse kemi kërkuar që Ministria e Punës të nxjerrë një rregullore si në të gjitha vendet në rajon ku përcaktohet me rregullore se mbi çfarë temperature nuk guxojnë të punojnë jashtë. Por në Kosovë nuk e kemi asnjë rregullore dhe nuk e sanksionon as 30 gradë as 40 gradë celsius. Ne kemi kërkuar por megjithatë edhe kësaj radhë e kanë gjetur rrugën e heshtjes ku punëtorët janë në mëshirën e pronarëve dhe në mëshirën e temperaturave të larta”.

Mirëpo, zëvendëskryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Agim Millaku, e mohoi të ketë pranuar ndonjë ankesë nga punonjësit për temperatura të larta.

Sipas tij, ka pasur ankesa për mungesë të kushteve të punës por jo për temperatura të larta. Po ashtu, Millaku tha se nuk ka bazë ligjore që e përcakton mbi çfarë temperatura duhet të ndërpritet puna.

“Temperaturat kanë qenë mjaft të larta por nuk kemi pasur asnjë ankesë në këtë drejtim që dikush nuk mund ta kryejë punën ose ta ndërprejë punën për shkak të temperaturave të larta. Ankesë me shkrim nuk kemi pranuar nga Sindikata. Ne nuk kemi temperaturë të kufizuar, as të larta as të ulëta, që të jep të kuptosh që mbi atë temperaturë ose nën atë temperaturë duhet ndërprerë punën”.

Millaku thotë se Inspektorati ka pasur intervenime për shkak të kushteve të punës por jo edhe të temperaturave.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka bërë thirrje publike që punonjësit t’i shmangen ekspozimit në diell nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 4 të pasdites.
Por një gjë të tillë nuk e parasheh Ligji i Punës në Kosovë.

Sipas këtij Ligji, pika 14, Kreu i 6 MBROJTJA DHE SIGURIA NË PUNË, Ligji i mbron punonjësit nga punët me rrezik, grupmoshat dhe gjinia si dhe kërkon plotësimin e sigurisë në punë, por nuk e përcakton temperaturën në të cilën lejohet apo ndalohet të punojnë.