Punëtorët e Postës ende nuk e kanë marrë rrogën, kërkojnë dorëheqjen e ministrit Lluka

Ndonëse është dita e 12 e muajit prill, punëtorët e Postës së Kosovës, ende nuk kanë marrë pagat e muajit mars, njofton Indeksonline.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, Etrit Hoti, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se pagat do të ekzekutohen sot mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Hoti ka thënë se fajtor për këtë është Telekomi i Kosovës i cili nuk i ka kryer obligimet që i ka ndaj Postës.

“Është shumë e vërtetë që gjysma e punëtorëve të postës së Kosovës ende nuk i kanë marrë pagat e muajit mars megjithëse që sot kemi prit me u realizuar edhe pjesa tjetër e pagave. Kam kontaktuar me menaxhmentin edhe para një ore dhe kërkova informacione se pse nuk kanë dalë pagat, mirëpo Telekomi i Kosovës është kah sillet shumë papërgjegjshëm dhe nuk i ka kryer detyrimet apo borxhet financiare që ia ka Postës së Kosovës dhe kemi mbet deri të hënën pa paga. Përgjigjja e menaxhmentit ka qenë që telekomi nuk i ka kryer obligimet financiare që i ka ndaj postës”, ka thënë ai.

Sipas Hotit, duke e pas parasysh këtë gjendje, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka do të duhej të jepte dorëheqje.

Ai ka bërë të ditur se shuma e mjeteve që do të duhej të ekzekutoheshin është rreth 350 mijë euro.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës, ka paralajmëruar edhe ndërrmarrjen e disa masave, ndër të cilat edhe bojkotimi i punës në postë nga punëtorët.

“Tash janë dy kategorizime, kategorizimi i parë është prej koeficienti 1-5 i kanë marrë pagat ndërsa prej koeficientit 5-15 apo 17 sot kanë prit me i marrë pagat por nuk kanë dalë. Shuma e mjeteve diku 350 mijë euro. Prej të hënës masa ndaj ministrit të Zhvillimit Ekonomik, ndaj telekomit, ndaj postë nuk duhet të vazhdohet të trajtohet kështu Posta e Kosovës si prej aksionarit si prej partnerëve afarist. Për besë duhet me lyp dorëheqjen këtu, duke e nis prej ministrit Lluka. Ne presim me u realizuar pagat, mos me u realizuar nuk punon as një punëtor i postës mo, pa u zgjidh problemi përfundimtar i postës. Ja po e çelim mirë, ja po mbyllim dhe po konsiderojmë që nuk ka punë posta”, përfundoi Etrit Hoti.