Qeveria e Izraelit planifikon të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor

Ministri izraelit i Çështjeve të Vendbanimeve, Tzachi Hanegbi, deklaroi të hënën se qeveria synon të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar.
“Nuk ka kuptim që gjysmë milion njerëz, të cilët banojnë në Judea dhe Samaria (toponimi izraelit për Bregun Perëndimor), të mos jetojnë sipas legjislacionit izraelit. Ne e bëmë atë në Lartësirat e Golanit dhe do ta bëjmë në Judea dhe Samaria”, u shpreh Hanegbi në një intervistë për “i24NEWS Channel”.

Ai, megjithatë, nuk përcaktoi një afat kohor për aneksimin e mundshëm izraelit.

Qeveria izraelite kishte planifikuar të aneksonte pjesë të territorit të pushtuar në korrik të vitit të kaluar, por kjo u shty si rezultat i presionit ndërkombëtar.

Duke komentuar mbi të ardhmen e marrëdhënieve të Izraelit me vendet arabe që nënshkruan marrëveshje normalizimi me shtetin hebre kohët e fundit, Hanegbi tha se ai nuk mund të parashikojë formën se si mund të jenë marrëdhëniet e tilla në të ardhmen e afërt.

“Unë nuk mund të parashikoj se sa larg do të zhvillohen marrëdhëniet me vendet e Gjirit, por është një aleancë që duhet të jetë në gjendje të bëhet në përputhje me vendimet e popujve, marrëveshjet e reja do të ndryshojnë gjërat”, sqaroi ai.

Hanegbi shtoi se Izraeli ka “interes të përbashkët me Omanin” duke shpresuar për “zgjerimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite”.

Në vitin 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Sudani dhe Maroku njoftuan normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Udhëheqësit palestinezë i quajtën marrëveshjet “tradhti ndaj kauzës palestineze”. /AA