Qeveria e re malazeze shënoi Kosovën me fusnotë, vjen reagimi nga kabineti i Hotit

Qeveria e re e Malit të Zi, e udhëhequr nga kryeministri Zdravko Krivokapiq, e ka shënuar Kosovën me fusnotë në një dokument për masat kundër pandemisë, i cili ka të bëjë me “tranzitin e banorëve të Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë, Kosovës* dhe Shqipërisë përmes Malit të Zi”.

Yllin pranë emrit (Kosova*) e vendosin disa vende që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Mirëpo nga Qeveria e Kosovës në një përgjigje për IndeksOnline kanë thënë se deri tani nuk kanë asnjë komunikim zyrtar për ndryshim të qasjes së Malit të Zi me Kosovën.

Kështu ka thënë për Antigona Baxhaku këshilltare për media e kryeministrit Avdullah Hoti.

Ajo tha se nuk ka asnjë ndryshim në raportet biraterale midis dy vendeve.

“Deri në momentin që po flasim nuk kemi asnjë komunikim zyrtar për ndryshim të qasjes së Malit të Zi në raport me vendin tonë. Nuk ka asnjë ndryshim në raportet bilaterale midis dy vendeve. Mali i Zi mbetet vend fqinje mik i Kosovë”, tha ajo.