Ballina Lajmet Kosovë Qyteti i Krushevcit dënon posterët me gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve

Qyteti i Krushevcit dënon posterët me gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve

Qyteti i Krushevcit, në Serbinë qendrore, ka dënuar çdo formë të thirrjeve për diskriminim, përhapjes së urrejtjes dhe nxitjes së ndarjeve mes njerëzve, lidhur me posterët me përmbajtje të papërshtatshme dhe diskriminuese, të cilët një person i panjohur i ka vendosur në një hapësirë publike.

Gjatë fundjavës, në këtë qytet u shfaq një poster në të cilin qytetarëve u bëhej thirrje që të mos blinin në një furrë buke, pronari i së cilës është shqiptar.

Në njoftimin e autoriteteve të qytetit thuhet se Krushevci ka qenë gjithmonë një qytet i sigurt për të gjithë ata që kanë lindur aty, por edhe një qytet mikpritës për të gjithë ata që kanë shkuar të jetojnë, të punojnë ose ta vizitojnë atë.

“Për shekuj me radhë kemi ndërtuar frymën e respektit të ndërsjellë, tolerancës dhe bashkëjetesës, prandaj veprime të tilla individuale nuk përfaqësojnë as Krushevcin dhe as banorët e tij”, thuhet në njoftim.

Autoritetet e qytetit u bënë thirrje organeve kompetente shtetërore që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që sa më shpejt të zbulohet autori, të përcaktohen të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe të zbardhen motivet e një veprimi të tillë.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria e Lartë në Krushevc nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me masat që po ndërmarrin për posterin.

Në poster qytetarëve u bëhet thirrje që të kujtojnë Gazimestanin dhe të mos blejnë te shqiptarët, ndërsa shqiptarët quhen me emrin fyes “shiptari”.

Policia e Kosovës më 28 qershor, gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, ndaloi 37 persona, ndërsa para gjykatës u proceduan 36 prej tyre, kryesisht nga Serbia dhe vendet e rajonit.

Avokati i Popullit i Serbisë, Zoran Pashaliq, ka kërkuar që organet kompetente të përcaktojnë urgjentisht të gjitha rrethanat e vendosjes së posterëve me gjuhë të urrejtjes në Krushevc, të drejtuar kundër pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare, si dhe të identifikojnë dhe procedojnë përgjegjësit në përputhje me ligjin.

Më herët, opozitarja Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) ka vlerësuar se një mesazh i tillë nuk është qëndrim politik dhe as protestë, por një shënjestrim i hapur i njerëzve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare dhe një përpjekje që urrejtja nga rrjetet sociale të zhvendoset në rrugë.