*Jemi në muajin e bekuar të Ramazanit, muajin e sakrificës, devotshmërisë dhe pastrimit shpirtëror. Është muaji kur zemrat pastrohen, kur Allahu lëshon mbi ne mëshirë dhe kur veprat e mira shumëfishohen.
Ramazani nuk është vetëm një muaj adhurimi, por edhe një muaj ndryshimi. Është një mundësi për të forcuar besimin, për të përmirësuar karakterin dhe për të fituar disiplinë shpirtërore. Allahu i lartësuar na ka dhënë këtë muaj që të sprovohemi me disa gjëra që në esencë janë të lejuara, ashtu siç i ka sprovuar popujt e mëparshëm për t’i dalluar ata që janë të sinqertë në besim nga ata që ndjekin dëshirat e tyre!
Një shembull të tillë, Allahu na e solli në Kuranin Famëlartë kur foli për Talutin dhe ushtrinë e tij dhe sprovën që e patën me ujin… Allahu e caktoi Talutin mbret për Beni Israilët dhe i udhëhoqi drejt betejës kundër armikut të fuqishëm… Dhe para se të ballafaqohen me ushtrinë e armikut, Taluti iu tha urdhërin që kishte nga Allahu:
“Allahu do t’ju sprovojë me një lumë. Kush pi prej tij, nuk është me mua. Kush nuk e shijon, është me mua, përveç atyre që marrin vetëm një grusht me dorën e tyre. Por, shumë prej tyre pinë, përveç një pakice.” (El-Bekare, 249)
Ky ishte një test për të parë se kush kishte durim dhe vetkontroll dhe kush do t’i nënshtrohej epshit të vet. Ata që e kaluan këtë sprovë, vazhduan përpara me bindje dhe u bënë fitimtarë!
Prandaj, ajo që na mëson kjo ngjarje është:
1. Disiplina dhe vetëpërmbajtja: Ashtu si Taluti dhe ushtria e tij u sprovuan me etjen dhe vetëm një pakicë qëndroi e palëkundur, edhe ne në Ramazan sprovohemi me urinë, etjen dhe dëshirat tona. Por, agjërimi na mëson të kontrollojmë veten dhe të mos ndjekim dëshirat tona, por urdhërat e Allahut!
2. Ndryshimi fillon me sfida: Ushtria e Talutit pasi kaluan sprovën e tyre ishin gati për fitoren e madhe… edhe ne përmes agjërimit kalojmë një sprovë të madhe, por me këtë ne ndryshojmë shprehitë tona dhe bëhemi më të durueshëm, më të devotshëm dhe më të përkushtuar në adhurim!
3. Pakica e vendosur arrinë suksesin: Në histori, gjithmonë ata që kanë pasur durim dhe vendosmëri kanë qenë pakicë, por që edhe kanë arritë të kenë sukses!
*Muaji i Ramazanit është edhe muaji i sakrificës. E nëse ka ndonjë popull që e kupton më së miri domethënien e sakrificës, ai është populli ynë shqiptar.
Në këtë muaj të bekuar, përkujtojmë me dhembje por dhe me krenari një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – rënien heroike të familjes Jashari, në marsin e vitit 1998.
Amaneti i tyre ishte liria, ashtu siç amaneti i Ramazanit është përkushtimi dhe sakrifica për hir të Allahut. Në atë kohë të vështirë, kur padrejtësia rëndonte mbi popullin tonë, ata qëndruan të palëkundur, njësoj si sahabët e Pejgamberit a.s., në betejen e Bedrit, betej për drejtësi dhe të vërtetën.
Ata flijuan gjithçka – shtëpitë, jetën, familjen – për të mos iu nënshtruar padrejtësisë, duke u bërë simbol i qëndresës dhe guximit. Dhe për këtë vepër të tyre, thotë Allahu në Kuran:
“Mos thuani për ata që u vranë në rrugën e Allahut: Se ‘Janë të vdekur’. Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk e kuptoni.” (El-Bekare: 154)
Kjo është një dëshmi se ata që japin jetën për një kauzë të drejtë nuk humbin, por fitojnë nder dhe lavdi të përjetshme!
Prandaj, për të arritë sukses si në adhurimet ndaj Zotit e edhe në punët e kësaj bote, duhet sakrificë… E sakrifica e familjes Jashari dhe sakrifica në adhurime kanë një pikë të përbashkët – që të dyja kërkojnë qëndresë, besim dhe përkushtim.
Andaj, në këto ditë të Ramazanit, përveç adhurimeve që bëjmë le të reflektojmë edhe mbi domethënien e vërtetë të sakrificës.
Le të marrim mësim nga durimi dhe vendosmëria e të parëve tanë… Liria jonë u arrit me gjakun dhe mundin e atyre që nuk u frikësuan nga asgjë, përveç Zotit.
Pra, shpërblimi i madh nuk vjen vetëm se pas një sakrifice dhe përkushtimi të palëkundur… Një fidan nuk bëhet pemë e fortë brenda natës. Ai rritet ngadalë, duke kaluar stuhitë, thatësirat dhe sfidat e tjera, por me rrënjët e forta ai bëhet një pemë e fuqishme që jep fryte..
Prandaj, nëse dëshirojmë të arrijmë diçka të vlefshme në jetë, duhet të jemi gati të japim diçka në këmbim- kohë, mund e përpjekje. Por, që në fund, shpërblimi nuk është vetëm suksesi, por edhe kënaqësia që vjen nga fakti se kemi dhënë më të mirën për të kaluar çdo pengesë!
Lusim Allahun që familjen Jashari dhe të tjerët t’i llogarisë me gradat e shehidëve. E lusim Allahun të na bëj prej atyre që këtë muaj e përdorim si mundësi për të ndryshuar veten, për të pastruar zemrën dhe për të forcuar lidhjen ton me Allahun!
Dr. Zenel Hajdini








