Rreth 35 mijë fëmijë dhe të rritur në Rripin e Gazës kanë humbur pjesërisht ose plotësisht dëgjimin si pasojë e bombardimeve izraelite gjatë luftës gati dyvjeçare, thuhet në një raport të gazetës franceze *Le Monde*, që citon një anketë të një organizate lokale jofitimprurëse.
Sipas audiologut Ramadan Hussein, i cili punon me Shoqatën Atfaluna për të Shurdhërit, humbja e dëgjimit mund të vijë si pasojë e plagëve në kokë ose qafë, traumave të trurit, çarjes së daulles së veshit dhe dëmtimit të sistemit dëgjimor. “Por ajo mund të shkaktohet edhe nga ekspozimi ndaj valëve të fuqishme të zërit, edhe nëse personi nuk është plagosur drejtpërdrejt,” tha ai, duke theksuar se këto çrregullime janë, në shumicën e rasteve, të pakthyeshme.
Fuqia shkatërruese e shpërthimeve
Një nga rastet e përmendura në raport është ai i Danës, një vajzë 12-vjeçare nga Gaza City. Ajo ndodhej në dhomën e saj kur një raketë izraelite goditi ndërtesën përballë shtëpisë së saj. Babai i saj tregoi se shpërthimi ishte “jashtëzakonisht i fortë”, duke shkulur derën e dhomës dhe duke thyer dritaret. Dana mbijetoi, por humbi dëgjimin.
Specialistët e Atfaluna-s konfirmuan se vajza vuan nga humbje shumë e rëndë e dëgjimit. “Për shkak të fuqisë së shpërthimit, nervi dëgjimor është dëmtuar rëndë, ndoshta edhe plotësisht i shkatërruar,” thanë ata.
Foshnjë pesëditëshe
Raporti përmend edhe rastin e një foshnje vetëm pesë ditëshe, e cila u hodh dhe u mbulua nga rëra kur një raketë izraelite ra një metër larg tendës së familjes së tij në zonën al-Mawasi të Khan Younis-it. Nëna e tij, Safa al-Qara, tha se foshnjën e gjetën vetëm sepse këmbët i kishin mbetur jashtë. “Ishte në gjendje të tmerrshme, menduam se do të vdiste,” tregoi ajo.
Katër muaj pas lindjes, nëna vuri re se foshnja reagonte vetëm ndaj lëvizjeve dhe jo ndaj tingujve. Mjekët e diagnostikuan me humbje totale të dëgjimit. Sipas raportit, ai ka nevojë urgjente për aparat dëgjimi ose implant koklear për të shmangur vonesa të rënda zhvillimore – diçka pothuajse e pamundur në Gaza për shkak të bllokadës izraelite.
“Prej gati një viti, asnjë aparat dëgjimi nuk ka hyrë në Rripin e Gazës,” paralajmëroi Dr. Hussein, duke shtuar se edhe pacientët që tashmë i kanë, së shpejti nuk do të mund t’i përdorin, pasi edhe bateritë janë të ndaluara.
Infrastrukturë e shkatërruar
Përveç mungesës së pajisjeve, laboratorët për prodhimin e kallëpeve të veçanta të veshit dhe pjesa më e madhe e infrastrukturës për trajtimin e çrregullimeve të dëgjimit janë shkatërruar gjatë ofensivës tokësore izraelite. Shumë specialistë të kësaj fushe janë larguar nga Gaza për shkak të luftës.
Dr. Hussein paralajmëroi se zhvendosjet e detyruara, bombardimet e vazhdueshme, uria dhe mungesa e ilaçeve ndikojnë edhe tek gratë shtatzëna dhe fetuset, duke rritur rrezikun e lindjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara, përfshirë humbjen e dëgjimit.
Ndërkohë, drejtori i Atfaluna-s, Fady Abed, tha se edhe infeksione të lehta, si ato të veshit, mund të shkaktojnë humbje të përhershme të dëgjimit nëse nuk trajtohen në kohë, veçanërisht në kushtet e kequshqyerjes dhe mungesës së kujdesit shëndetësor bazë në kampet e të zhvendosurve.
Bilanc tronditës
Që nga 7 tetori 2023, ushtria izraelite, me mbështetje amerikane, ka nisur një luftë shkatërrimtare kundër Gazës, e cila deri tani ka shkaktuar vdekjen e mbi 71,300 palestinezëve dhe plagosjen e më shumë se 171,000 të tjerëve. Pjesa dërrmuese e popullsisë është zhvendosur, ndërsa shkatërrimi i infrastrukturës konsiderohet i paprecedent që nga Lufta e Dytë Botërore. Mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.
Krahas ofensivës ushtarake, bllokada izraelite ka shkaktuar uri të qëllimshme, duke çuar në vdekjen e qindra palestinezëve, kryesisht fëmijë, ndërsa qindra mijëra të tjerë janë në rrezik. Pavarësisht dënimeve ndërkombëtare, Izraeli vazhdon të mos përballet me përgjegjësi, ndërsa ndaj tij po zhvillohet një hetim për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe udhëheqës të tij, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, janë në kërkim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
(The Palestine Chronicle)
/mesazhi


