Hetimet e nisura në fillim të muajit prill fillimisht mbi dyshimet për shkelje të të drejtave të njeriut, ka nxjerrë ndoshta skandalin më të madh, mbi atë se shqiptarët dhe komunitetet tjera janë duke paguar mbi 8 milionë euro faturat e energjisë elektrike për katër komunat serbe në veri të Kosovës.
Ndërkaq në përgjigjen e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, dhënë për Institucionin e Avokatit të Popullit, është arsyetuar se ZRRE ka njoftuar se sipas operatorëve të licencuar energjia e pa faturuar në vitin 2016 në pjesën veriore të Kosovës 252 GWh, që përmban rreth 5.24% të kërkesës së shpërndarjes dhe se vlera e gjithmbarshme e energjisë së faturuar në veri të vendit është rreth 8 milionë euro.
ZRRE ka shtuar se duke marrë parasysh se kjo vlerë është e pambuluar nga institucionet e Kosovës dhe duke mos pasur zgjidhje tjetër për të mbajtur sistemin elektroenergjetik në gjendje funksionale, ZRRE ka qenë e detyruar që kostit për mbulimin e humbjeve duke përfshirë dhe humbjet në veri t’i shpërndaje të të gjithë konsumatorët, shkruan Indeksonline.
ZRRE për më shumë ka theksuar se Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) e ka të pamundur qasjen në veri të vendit dhe se humbjet që shkaktohen në veri nga ISSH konsideron si “humbje politike”, që janë jashtë kontrollit të OSSH dhe se OSSH nuk mund të kryej funksionet e veta për shkak të kostos së lartë të këtyre humbjeve, gjë të do të rrezikonte furnizimin e rregullt me energji elektrike në të gjithë vendin.
Sipas përgjigjes zyrtare përgjegjësinë kryesore për faturimin e rrymës së harxhuar nga serbet e veriut tek pjesa tjetër e konsumatorëve, është vetë ZRRE sepse me 6 shkurt të vitit 2012 sipas vendimit nr_399_2012 kishe vendosur që të aplikohej një formë e tillë e faturimit.
Po ashtu, me 22 maj 2017, Avokati i Popullit ka dërguar një letër dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Departamentit të Energjisë, për të mësuar qëndrimin e kësaj ministrie lidhur me faturimin e rrymës së shpenzuar në veri qytetarëve në pjesë të tjerë të Kosovës.
Departamenti i Energjisë i MZHE me 29 maj 2017 ka dërguar përgjigje në kërkesën e Avokatit të Popullit, ku mes tjerash ka pohuar se pamundësia e qasjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Kompanisë së Furnizimit Publik (KESKO) lidhet me problemin e madh politik të integrimit të katër komunave të veriut.
Ndërkaq deri në një vendim tjetër që do të qonte në pezullimin e këtij lloj faturimit, qytetarët e Kosovës janë duke vazhduar dhe do të vazhdojnë të paguajnë miliona për rrymën e shpenzuar nga serbet e veriut.